Tirana hakmerret ndaj Partizanit duke e mposhtur në derbin e kryeqytetit me rezultatin minimal 1-0. Mbi 10 mijë tifozë në stadiumin kombëtar ‘Qemal Stafa’ kanë dhuruar një atmosferë inkandeshente duke zgjuar kryeqytetin nga gjumi letargjik i dimrit. Prag ndeshja ka qenë e tensionuar nga të dy tifozeritë duke mos munguar edhe incidentet jashtë ambienteve të stadiumit. Ashtu sikur pritje derbi mes këtyre dy ekipeve nuk ka rivalë, pasi fituesi është i paparashikueshëm.

Pavarësisht se Partizani pretendon për titullin kampion dhe renditet në vendin e dytë, nuk e ka pasur aspak të lehtë përballë Tiranës që endet në vendin e fundit. 24 herë kampionët e vendit kanë luajtur si të barabartë në fushë për 90’ duke treguar se fanella bardheblu është akoma aty. Ndeshja ka nisur e mirë për Partizanin që hidhet në sulm nga minuta e parë, por të besuarit e Maganit janë mbrojtur mjaft mirë duke mos lënë hapësira. Pavarësisht tentativave, pjesa e parë ka përfunduar në barazim 0-0.

Në të dytën Tirana duket se merr kontrollin e lojës duke krijuar më shumë se të kuqtë dhe në minutën e 76’ pas një goditje dënimi kalon në avantazh me një super gol të realizuar në mënyrë mjeshtërore nga Fortunato, i cili shfrytëzoi një krosim të bukur nga këndi duke realizuar një roveshatë dhe dërguar sferën në rrjetë.

Goli ngre gjysmën e stadiumit në këmbë, ndërsa gjysmën tjetër e pllakos heshtja. Në minutat në vazhdim, Partizani shthuret duke humbur qetësinë, ndërsa Tirana admisnitron lojën duke marrë tre pikët që i japin frymëmarrje në këtë moment të vështirë, ndërsa shpresat e Partizanit për të luftuar për titull veniten.

Pas golit të shënuar nga ekipi i Tiranës, tifozët e ekipit të Partizanit në shenjë irritimi u kanë vendosur flakën stolave të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’. Por në atë moment ka ndërhyrë menjëherë policia e kryeqytetit.

Pas përfundimit të ndeshjes, policia ka qëndruar në gatishmëri të plotë për të shmangur përplasjet e mundshme mes dy palëve. E ndërsa të kuqtë janë larguar me kokën poshtë pas humbjes, e kundërta ka ndodhur me bardheblutë që kanë vijuar festën e nisur në stadium në rrugët e Tiranës.
136 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës. Partizani ka fituar 54 ndeshje, Tirana 42 ndeshje, 40 të tjera në barazim.


Pjesa e Parë e derbit
Ka nisur derbi i shumë pritur mes dy ekipeve legjendare të Shqipërisë, Tirana-Partizani. Ndeshja e vlefshme për javën e 18 të kampionatit ka mbushur shkallët e stadiumit plot e për plot duke dhuruar një atmosferë inkandeshente dhe shumë emocionuese për të gjithë të pranishmit. Sfida është përcaktuese për dy ekipet, pasi Partizani lufton për titull, ndërsa Tirana për mbijetesë.

Pjesa e parë e derbit mes Tiranës dhe Partizanit ka përfunduar në barazim me rezultatin e bardhë 0-0. 45’ e para nisën me një minutë heshtje nga të dyja skuadrat në nderim të legjendës së këngës shqiptare, Vaçe Zela, e ndarë një ditë më parë nga jeta. Topin e parë nga mesi i fushës e ka shkelmuar ekipi i Tiranës.

Minuta e 8 ka sjellë një rast të rrezikshëm për Tiranës, që harkon me Kalarin, por portieri Hoxha e ka grushtuar duke larguar rrezikun nga zona. 3 minuta më pas Gilberto dhe Morina kombinonjë bukur, duke e nxjerrë këtë të fundit të vetëm me Hoxhën, por që ndodhet në pozicion jashtë loje.

Në minutat në vazhdim ndeshja dominohet nga lufta e ashpër në mesin e fushës nga dy ekipet, por që nuk arrijnë të dalin para portës, pasi mbrojtjet e dy ekipeve ishin në pozicionet e duhura duke shmangur edhe rastet e rrezikshme. Partizani krijon një rast për shënim në minutën e 37, pasi Hyshmeri fiton një goditje nga këndi, e cila ekzekutohet nga Mazrekaj, por bardheblutë largojnë rrezikun.

Deklaratat  e protagonistëve post-derbi

Gugash Magani: Bravo, por jemi ende të fundit
Trajneri Gugash Magani pas fitores në derbi nuk është shumë i entuziazmuar duke i rënduar më shumë faktit se ekipi duhet të ketë vazhdimësi. “Lojtarët sot bënë maksimumin në fushë, ndeshjen e trajtova si të radhës, ku duheshin tre pikët. Punuam mirë me qarkullimin e topit dhe me pasimet e shpejta. Jam i kënaqur me rezultatin, por sërish jemi në vend të fundit dhe tani duhet të punojmë sa më shumë. Tani duhet ta harrojmë këtë që ndodhi dhe të fokusohemi te ndeshja tjetër me Bylisin. Për ne të gjitha ndeshjet janë finale dhe duhet të punojmë sa më shumë për t’ia dalë. Duhet që edhe lojtarët e rinj, që janë afruar në merkato të integrohen dhe të konsolidohen me ekipin dhe të vijnë në kondicionin e duhur fizik” deklaroi ai.

Hasan Lika: Mungesat sollën humbjen
Ndërsa trajneri i Partizanit, Hasan Lika u justifikua për humbjen duke deklaruar se ishim në një ditë të keqe.  “Bëmë një ndeshje të keqe, nuk funksionuam mirë dhe patëm probleme me sulmin. Bëmë gabime të shumta në organizimin e lojës dhe në qarkullimin e topit. Kishim mungesa dhe u detyruam të bënim ndryshime që nuk sollën rezultatet e duhura.  Kishim shumë tension dhe bënim gabime në pasime, gjë që na uli rendimentin e lojës dhe rrjedhimisht rrezikshmërinë. Duhet të bëjmë shumë për të arritur sa më shumë në kampionat, pasi ka edhe shumë ndeshje përpara” përfundoi ai.

Gilberto: Pikët më gëzuan më shumë se goli
Pas ndeshjes braziliani i Tiranës, autori i golit, Gilberto u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e ekipit bardheblu. “Jam i kënaqur për fitoren, ishte një ndeshje e mirë dhe një atmosferë e bukur. Jam i kënaqur që shënova, por mendoj se mund të luaj shumë më mirë se kaq. Kam qenë pak i lodhur se nuk kam fjetur shumë mbrëmë, pasi e kisha mendjen tek ndeshja, por gjithçka ia vlejti, jam shumë i lumtur për 3 pikët”. Deklaroi braziliani.



Formacionet:
Tirana: Lika, Pashaj, Muca, Vrapi, Kerciku, Kalari, Karabeci, Korreshi (Delic 74′), Morina, Kahata (Ndikumana 57′), Gilberto (Limani 90′). Tr: G.Magani

Partizani: Hoxha, Rrahmani, G.Krasniqi, B.Krasniqi, Ahmeti, Demiri (Musta 69′), Antanasijevic, Mazrekaj, Dunkovic (Nexhipi 59′), Hyshmeri, Sacer (Sali 68′). Tr: H.Lika

Gjyqtar: Sino,Tartari,Grabova

Mungesa e madhe
Partizani do të ndeshet me ekipin e Tiranës pa një mungesë shumë të rëndësishme si ajo e sulmuesit të njohur të kampionatit shqiptar Migen Memelli.

Pavarësisht punës së stafit teknik të Partizanit, mjekët nuk kanë arritur që të bëjnë të mundur zbritjen e Memellit në fushë duke e kushtëzuar ekipin e kuq nga sulmuesi kryesor.


Prag sfida Tirana-Partizani
Tifozeritë e dy ekipeve të kryeqytetit kanë filluar mbushjen e shkallëve të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’.

Nga dy tifogrupet e tifozëve “Ultras Guerrils” dhe “Fanatics” vihet re një interesim mjaft i madh për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, duke arritur shifrën e 10 mijë spektatorëve.

Mes tifozëve ka pasur edhe një incident në një nga lokalet e Tiranës. Pas provokimit të  një tifozi të Partizanit kanë reaguar të irrituar “Fanatics”.

Ndeshja mes dy ekipeve i ngjan një përballje të Kombëtares, pasi radhë herë arrin të mbushet stadiumi me një numër të tillë tifozësh.

Policia ka marrë masa maksimale për mbarëvajtjen e derbit duke angazhuar një numër të madh efektivësh policie në stadium dhe jashtë tij për të parandaluar cdo incident të mundshëm mes dy tifogrupeve.

Tribuna për karshi e ndarë në mes nga policia për të shmangur përplasjet është mbushur pothuajse plot.


Dyshime për biletat
Tifozët e dy ekipeve kanë denoncuar pranë ‘A1REPORT’ dyshimet për një falsifikim të mundshëm të biletave të derbit. Policia nuk i ka lejuar disa prej tifozëve që të futen në stadium duke i konsideruar biletat si të falsifikuara.

Përgatitjet e dy ekipeve në prag të derbit
Sportdashësit shqiptarë sonte në orën 18:00 do të mbajnë frymën për të ndjekur ndeshjen më të madhe të kampionatit të futbollit me Tiranës dhe Partizanit. Derbi i kryeqytetit pritet që të mbushë shkallët e stadiumit ‘Qemal Stafa’ plot, pasi interesi është mjaft i madh nga ana e dy tifozerive, por jo, vetëm.

Derbi i radhës i gjen dy ekipet në një gjendje të ndryshme, me Partizanin në vendin e dytë dhe Tiranën në të fundit, por historia na ka mësuar që në ndeshje të tilla nuk ka favoritë, pasi pesha e dy fanellave është e rëndë dhe motivimi është shumë i madh.

E ndërsa te Partizani gjërat kanë qenë të kristalizuara që në fillim të edicionit me pretendimet, te Tirana është ndryshe, pasi atë që duhet të bënte në verë e bëri në dimër, duke afruar shumë futbollistë cilësorë, por ashtu sikur thotë edhe donatori, Refik Halili tani është momenti që të shihet produkti i punës.

“Futbolli shqiptar njeh shumë ndeshje derbi mes këtyre dy ekipeve, por kjo e sotmja është tejet e vecantë. Sfida më duket se ka dicka ndryshme, speciale nga të tjerat, kam besim se do të shohim shumë grindë, shpirt gare dhe emocione në fushë dhe jashtë saj.

Dy ekipet janë të motivuara dhe mezi e presin një sfidë të tillë. Ne kemi zhvilluar një merkato pozitive duke afruar shumë futbollistë cilësorë që presim të na shpërblejnë besimin në fushë. Ju bëj thirrje edhe tifozëve që të na mbështesin në këtë ndeshje, pasi gjithmonë koreografia e tyre dhe mbështetja kanë qenë deçizive, ata janë mushkëria e ekipit. Shpresoj që edhe gjykimi të jetë në nivelin e derbit” shprehet ai.

Por a e rrezikon Tirana seriozisht rënien nëse do ta humbasë sot? “Pikë së pari nuk besoj që Tirana do të humbasë sot, pasi kemi ndërtuar një ekip fitues dhe rezultatin do ta shihni në fushë. Fitorja e sotme do të hapë një kapitulli të ri këtë edicion që do të pasohet nga shumë fitore. Dhe për të motivuar akoma më shumë futbollistët do të vendosim në dispozicion edhe një premio speciale për ekipin. Tirana është krijuar për të qenë në mesin e më të mirëve, kështu që nuk do të ndodhë që të bjerë nga kategoria” përfundon Refik Halili

Gugash Magani: Fitorja, detyrim për Tiranën

“Jemi përpara një ndeshje shumë të fortë nga e cila presim shumë. Kam besim se futbollistët do të japin më të mirën e tyre në fushë për të marrë maksimumin. Fitorja është detyrim për ekipin e Tiranës. Ekipi është në gjendje shumë të mirë dhe gati më të mirën. Shpresojmë edhe te mbështetja e tifozerisë” deklaroi Magani.

Deklaratat
Krasniqi: Iku koha e Tiranës, Karabeci: Do famë nga blutë

Në prag të ndeshjes si gjithmonë nuk kanë munguar as përplasjet e deklaratave mes dy kampeve. Këtë herë protagonistë janë bërë Krasniqi dhe kapiteni i Tiranës, Karabeci. Mbrojtësi i kuq, deklaroi para pak ditësh se koha e Tiranës ka përfunduar, por Erando Karabeci, në rolin e kapitenit bardheblu nuk ka harruar të replikojë me mbrojtësin e Partizanit, Gëzim Krasniqi.

“Unë e kuptoj që ai lojtar ka dashur t’i lexohet emri duke përmendur Tiranën, por ai është shumë i vogël para emrit të këtij klubi saqë besoj duhet të marri leje për ta nxjerrë nga goja këtë fjalë të madhe. Unë se di se nga vjen ky lojtar”, ka deklaruar Karabeci.

Ndërsa Hoxha në një prononcim para ndeshjes ka deklaruar se”Përballja me Tiranën mbetet klasikja e futbollit shqiptar dhe si ne ashtu edhe rivalët tanë e dinë fare mirë rëndësinë e kësaj ndeshjeje.

Derbi është një përballje e cila nuk ka nevojë për motivim, jemi të ndërgjegjshëm që nuk do të jetë aspak e lehtë pasi sfidat derbi njohin të 3 rezultatet. Një tjetër fitore ndaj Tiranës do të ishte dhurata më e bukur për tifozerinë tonë të zjarrtë dhe objektivat e klubit. Jemi Partizani dhe si ne lojtarët, ashtu edhe tifozeria jonë duhet të jemi krenar që përfaqësojmë ngjyrat e këtij klubi historik.

Momenti i keq që po kalojnë bardheblutë mund të shfrytëzohet nga të kuqtë, që ndiejnë avantazhin psikologjik përballë rivalëve të tyre. Pozicioni i Tiranës në vendin e fundit si dhe objektivat madhorë të Partizanit përjashtojnë skenarin e një sfidë taktike” deklaron ai.

Trajneri Hasan Lika nuk do të ketë në dispozicion të pezulluarin Ibrahimi, ndërsa Memelli edhe në seancën e fundit nuk është stërvitur me grupin, çka e bën thuajse të pamundur aktivizimin e tij në derbi. Drejtoria e Policisë së Tiranës pritet të marrë masa të rrepta për mbarëvajtjen e derbit. Forca të shumta policore do të jenë prezente në stadium për të ndalur ndonjë konfrontim të mundshëm midis dy tifozerive.