Dominimi i Bayern Munich në futbollin gjerman u pa edhe të shtunën, me ekipin e Vincent Kompany që fitoi 2-3 me përmbysje kundër Dortmundit në shtëpinë e këtyre të fundit. E njohur si 'Der Klassiker', sfida dhuroi emocione, pesë gola dhe përmbysje, për emocionet që zgjatën deri në sekondat e fundit.
Të parët në epërsi kaluan vendasit e Dortmundit me Nico Schlotterbeck pas 26 minutave lojë. Pjesa e parë e sfidës u mbyll me avantazhin e verdhezinjve, ndërsa në fraksionin e dytë ishte Harry Kane që përmbysi shifrat për Bayern Munich në minutat 54 dhe 70-të (11 metërsh).
Dortmundi nuk u dorëzua dhe ia doli të vendoste ekuilibrin momental në minutën e 83-të, kjo pasi Daniel Svensson përfitoi nga pasimi i Sabitzer dhe barazoi për 2-2.
Emocionet e duelit nuk ishin mbyllur aty pasi vetëm tre minuta para fundit të ndeshjes Bayern Munich shënoi edhe golin e tretë dhe të fitores me autor Joshua Kimmich.
Me 63 pikë Bayern Munich mban kreun e renditjes dhe shkëputet me 11 pikë nga Dortmundi ndjekës. Për verdhezinjtë kjo ishte humbja e radhës pas eliminimit në mesjavë nga Atalanta në Champions League.
Komente









