ANGLI - Brighton siguroi të martën një fitore të rëndësishme dhe plotësisht të merituar 3-0 ndaj Chelsea në raundin e 34-t të Premier League në Angli, duke konfirmuar formën e mirë dhe ambiciet për zonën evropiane.

Skuadra vendase e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh që në minutën e tretë. Pas një aksioni të shpejtë dhe një pritjeje fillestare nga portieri Sanchez, Ferdi Kadioglu reagoi më shpejt në zonë dhe e çoi topin në rrjetë për avantazhin 1-0.

Brighton vazhdoi me dominimin e lojës, duke krijuar raste të shumta, ndërsa Chelsea hasi vështirësi të dukshme në organizimin e mbrojtjes. Portieri Robert Sanchez ishte ndër të paktët që mbajti ekipin londinez në lojë, me disa ndërhyrje vendimtare, përfshirë një pritje spektakolare ndaj goditjes me kokë të Jan Paul van Hecke.

Epërsia e Brighton u dyfishua në pjesën e dytë, kur Jack Hinshelwood realizoi një supergol nga distanca në minutën e 56-të, duke e dërguar topin në cepin e portës për 2-0.

Chelsea tentoi të reagojë, por pa arritur të konkretizojë, ndërsa Brighton mbeti i rrezikshëm në kundërsulme. Kaoru Mitoma pati një mundësi të artë për të thelluar rezultatin, por nuk arriti të shënojë nga një pozicion i favorshëm. Në fund, 'vulën' e fitores e vendosi Danny Welbeck, i cili shënoi për 3-0 dhe siguroi tri pikë të vlefshme për Brighton në garën për kupat evropiane.

Katër raunde nga fundi i sezonit, Chelsea sheh pesë humbje radhazi dhe zbret në vendin e shtatë me 48 pikë, duke u parakaluar nga Brighton që ka 50 pikë. Chelsea është shtatë pikë pas Liverpoolit të vendit të pestë që për momentin ka siguruar pjesëmarrjen në Champions League për edicionin e ri.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 22 Prill, 10:59

    Politikanë e qytetarë të pandehur në 'kafaz' në gjyq, a është e tepruar?