Roma është jashtë Kupës së Italisë. Në "Olimpico" të Romës vendasit u mposhtën 2-3 nga Torino në një ndeshje me shumë emocione dhe që u vendos në minutën e fundit të lojës, duke shmangur shtesën.
Për Torinon titullar luajti Ardian Ismajli, i cili bëri një paraqitje të mirë për 70 minuta, pasi më pas u zëvendësua nga Maripan për shkak të një dëmtimi. Ndërkohë që shqiptari tjetër i Torinos, Kristjan Asllani, nuk ishte i grumbulluar nga trajneri Marco Baroni për këtë duel.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të miqve, teksa ishte Che Adams që i dha epërsinë Torinos. Vetëm pak sekonda mjaftuan nga nisja e fraksionit të dytë dhe Mario Hermoso vendosi ekuilibrat për 1-1.
Torino nuk u dorëzua dhe gjeti sërish avantazhin po me Che Adams në minutën e 52-të. Fundi i sfidës ishte me shumë emocione, pasi fillimisht Roma barazoi me Antonio Arena në minutën e 81-të, i sapofutur në fushë. Kur të gjithë menduan se dueli do i drejtohej penalltive, Emirhan Ilkhan shënoi golin e tretë për Torinon në minutën e 90-të. Festë e madhe për ekipin mik, ndërsa Torino në çerekfinale do përballet kundër Interit.
Kristjan Asllani është në merkato. Këtë e ka pohuar vetë drejtori sportiv i Torinos, Gianluca Petrachi. Mesfushori shqiptar nuk ishte i grumbulluar për sfidën përballë Romës, një sinjal i qartë se largimi është thjesht çështje kohe.
Në deklaratën e dhënë për “Sport Mediaset” përpara ndeshjes, Gianluca Petrachi ka thënë hapur se Asllani është nxjerrë në tregun e transferimeve dhe se i ka të qarta pozicionet ku duhet të ndërhyjë.
“Asllani, Sazonovi dhe Nkunku janë djem që janë në merkato, është mjaft e qartë. Kemi vendosur një vijë në dhomën e zhveshjes. E dimë çfarë duhet të bëjmë. Sigurisht, siç e kam shpjeguar më parë, jemi 32 veta. Dikush duhet të largohet që dikush të vijë. I dimë mirë pozicionet që duhet të përmbushim dhe po punoj për këtë”, tha Gianluca Petrachi.
Komente








