Serie A e futbollit në Itali zhvilloi të shtunën tre ndeshjet e radhës për raundin e 27-të. Como përmbysi 3-1 Leccen, Napoli mori tri pikë pas fitores 1-2 në Verona, teksa Interi u rikthye te fitorja duke mposhtur 2-0 Genoan. Kjo ishte fitorja e tetë radhazi e Interit në kampionat, me zikaltërit që mbaten në vendin e parë të renditjes me 67 pikë.
Në 'Giuseppe Meazza' Interi vinte pas zhgënjimit dhe eliminimit nga Bodo/Glimt në Champions League. Zikaltërit e Cristian Chivu nuk e patën të vështirë përballjen kundër Genoas, duke kaluar në epërsi me Dimarcon pas 31 minutave lojë. Anësori i majtë mori një pasim nga Mkhitaryan dhe zhbllokoi sfidën me një gol fantastik për të qetësuar tifozët. Në fraksionin e dytë, konkretisht në minutën e 70-të ishte Calhanoglu që u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit për golin e dytë të Interit.
Këtë të dielë Serie A ka në program katër sfida. Në orën 12:30 luhet Cremonese - Milan, në orën 15:00 Sassuolo - Atalanta, në orën 18:00 luhet Torino - Lazio dhe mbrëmja kulmon në orën 20:45 me sfidën Roma - Juventus që zhvillohet në 'Olimpico'.
Komente







