Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 23-të. Në "Olimpico" të Romës, vendasit e Lazios fituan 3-2 kundër Genoas në një ndeshje të mbërthyer nga emocionet deri në minutën e 90+10-të.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërsa skuadrat e kishin lënë spektaklin për në fraksionin e dytë. Në minutën e 56-të ishte Pedro që shënoi golin e parë për Lazion nga pika e 11 metërshit, vendim që u dha pas rishikimit të rastit në VAR. Lazio shtyu përpara dhe shënoi golin e dytë me afrimin e ri të merkatos, holandezin Kenneth Taylor.

Kur u duk se vendasit i kishin siguruar tri pikët, Genoa e De Rossit do tregonte gjithë potencialin në sulm duke barazuar, fillimisht me 11 metërshin e Malinovskyt dhe më pas me golin e Vitinhas, i cili erdhi nga zhvillimet e një këndoreje.

Të dyja skuadrat nuk u mjaftuan me një pikë, por panë drejt sulmit për golin e fitores. Ishte Lazio që buzëqeshi në fundin e sfidës, pasi një penallti e akorduar sërish pas rishikimit të pamjeve në VAR, bëri që Cataldi t'i jepte tri pikë të tijve për rezultatin final 3-2.

Pas dy ndeshjeve pa fitore, Lazio gjen suksesin dhe me 32 pikë për momentin ndodhet në vendin e tetë. Nga ana tjetër, Genoa humbet për herë të parë pas pesë takimeve, ndërsa interesant është fakti se disfatën e fundit e kishte po në 'Olimpcio', por kundër Romës (3-1 më 29 dhjetor). Me 23 pikë ekipi i De Rossit mban pozitën e 16-të.

Serie A vijon sot me tre ndeshjet e radhës për raundin e 23-të. Në orën 15:00 nis Pisa - Sassuolo, në orën 18:00 luhet Napoli - Fiorentina dhe në orën 20:45 Cagliari - Verona.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 28 Janar, 09:18

    Burg deri në një vit për parkim dysh, si e vlerësoni?