Liverpooli ka siguruar kalimin në 1/16 e FA Cup, pasi mposhti të hënën Barnsleyn me rezultatin bindës 4-1 në “Anfield”, në kuadër të raundit të 1/32-ave. Skuadra e Arne Slot e mori seriozisht takimin që nga fillimi.
Dominik Szoboszlai zhbllokoi sfidën në minutën e 9-të me një goditje të saktë, duke vendosur rezultatin 1-0. Në minutën e 36-të, Jermie Frimpong dyfishoi avantazhin pas një aksioni të bukur dhe asisti nga Mac Allister, duke i dhënë të kuqve një epërsi të sigurt.
Barnsley reagoi para pushimit dhe Adam Phillips shënoi në minutën e 40-të, duke ngushtuar rezultatin në 2-1 dhe duke lënë gjithçka të hapur për pjesën e dytë.
Në fraksionin e dytë, Liverpooli menaxhoi lojën dhe mbylli takimin në minutat e fundit. Florian Wirtz shënoi në minutën e 84-t për 3-1 me një goditje të bukur nga kufiri i zonës, ndërsa në shtesë Hugo Ekitike vulosi ndeshjen për 4-1.
Me këtë fitore, Liverpooli kualifikohet në raundin e ardhshëm, ku do të përballet me Brightonin në 1/16 e FA Cup.
Komente









