ANGLI - Titulli kampion këtë sezon në Premier League do të vendoset me fotofinish, teksa tabela kryesohet nga Arsenali me 76 pikë, ndjekur nga Manchester City me dy pikë më pak.
'Qytetarët' e Pep Guardiolës fituan të shtunën 3-0 në shtëpi kundër Brentfordit për raundin e 36-të (i treti nga fundi) dhe sot bëjnë tifo për West Hamin, me këta të fundit që presin në orën 17:30 kryesuesit e Arsenalit.
Ndeshja në 'Etihad' u kontrollua nga Man. City, megjithëse të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Ishte Jeremy Doku që fillimisht zhbllokoi shifrat pas 60 minutave lojë, para se Erling Haaland në minutën e 75-të dhe Omar Marmoush në minutën e dytë shtesë (90+2') të 'vulosnin' fitoren 3-0 të Cityt.
Në konferencën pas ndeshjes, Pep Guardiola bëri shenjën e 'Çekanëve', simbolin e West Hamit dhe u largua duke qeshur nga salla, si një shenjë se sot ai bën tifo për West Hamin i cili lufton për mbijetesën. Nëse Arsenali ndalet sot, atëherë Man. City do të rihynte në garë për titullin kampion pasi ka edhe një ndeshje mangut, atë kundër Crystal Palace.
Në ndeshjet e tjera të së shtunës, Liverpooli dhe Chelsea barazuan 1-1, Brighton fitoi 3-0 kundër Wolvesit, Bournemouth fitoi 0-1 në Londër kundër Fulhamit, ndërsa Sunderlandi i Granit Xhakës (më i miri në fushë) ndali 0-0 Manchester United.
Komente






