ANGLI - Ish-sulmuesi i kombëtares angleze të futbollit, Raheem Sterling, është arrestuar në Hampshire pasi përplasi makinën e tij tip Lamborghini me barrierat e autostradës M3.  Ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 09:00 të mëngjesit. Nga aksidenti nuk pati të lënduar në njerëz dhe nuk u përfshinë mjete të tjera. Raportohet se Lamborghini pësoi dëme të dukshme.

Policia e Hampshire njoftoi se 31-vjeçari akuzohet për drejtim të rrezikshëm të mjetit nën ndikimin e lëndëve narkotike, posedim të drogave të “Klasit C” (ku përfshihen steroidet anabolike, benzodiazepinat dhe oksidi i azotit), si dhe për refuzim kategorik të kryerjes së testit të drogës në vendngjarje. Ai u la i lirë me kusht ndërsa hetimet po vijojnë.

Sterling aktualisht luan për Feyenoord në Holandë, ku u transferua shkurtin e kaluar pasi arriti një marrëveshje për ndërprerje të parakohshme të kontratës me Chelsean. Në gjysmën e dytë të sezonit 2025-26, ai bëri tetë paraqitje në Eredivisie për klubin e Rotterdamit.

Gjatë karrierës së tij, Sterling luajti 396 ndeshje në Premier League, duke u afirmuar fillimisht me Liverpoolin dhe më pas me Man Cityn. Me “Qytetarët”, ai fitoi katër tituj të ligës angleze.

Në verën e vitit 2022, ai u transferua te Chelsea për 40 milionë euro dhe në sezonin 2024-25, luajti në huazim te Arsenali. Megjithatë, pas kthimit në 'Stamford Bridge' ai doli nga planet e trajnerit Enzo Maresca. Për ekipin kombëtar të Anglisë, Sterling bëri 82 paraqitje dhe shënoi 20 gola midis viteve 2012 dhe 2022, duke u bërë një nga fytyrat e “Tre Luanëve” për vite me radhë.