ANGLI - Premier League mbylli të hënën raundin e 34-t. Në 'Old Trafford' vendasit e Manchester United fituan 2-1 kundër Brentford për të hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt kualifikimit për në Champions League edicionin e ri.
Ekipi i Michael Carrick kaloi në epërsi pas 11 minutave lojë. Një asist i Harry Maguire u shfrytëzua bukur nga Casemiro i cili zhbllokoi shifrat. United vijoi të dominonte sfidën dhe në minutën e 43-të 'vulosi' tri pikët. Kapiteni Bruno Fernandes pasoi për Benjamin Seskon, teksa sulmuesi lëvizi bukur në zonë dhe e ndali sferën në rrjetë.
Në pjesën e dytë Man. United u mundua të shënonte edhe golin e tretë, por rrjetën e gjetën miqtë vetëm tre minuta para fundit të sfidës me Mathias Jensen, për rezultatin final 2-1. Fundjava që vjen rezervon duelin Man. United - Liverpool.
Arsenali me 73 pikë mban kreun, por 'Topçinjtë' rrezikojnë titullin kampion pasi Manchester City i cili ndjek me tre pikë më pak ka një ndeshje të prapambetur. Në fundin e renditjes mbeten Tottenham, Burnley dhe Wolves, me dy klubet e fundit që kanë zyrtarizuar rrëzimin nga elita e futbollit anglez.
Komente



