Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 28-të. Në stadiumin 'Maradona' vendasit e Napolit fituan 2-1 kundër Torinos dhe mbeten brenda zonës që të dërgon në Champions League edicionin që vjen.
Djemtë e Antonio Contes e nisën ndeshjen më mirë dhe ia dolën të kalonin në epërsi pas shtatë minutave lojë me golin e Alisson Santos. 23-vjeçari brazilian veproi bukur me topin dhe nga jashtë zone lëshoi një të djathtë rrafsh me tokën për ta ndalur sferën pas krahëve të Palearit.
Napoli kontrolloi lojën dhe në minutën e 68-të shënoi edhe golin e dytë me autor shqiptaro-maqedonasin Elif Elmas. Miqtë nga Torino shkurtuan shifrat me Cesare Casadei në minutën e 87-të, por nuk kishte më kohë për të kërkuar golin e barazimit.
Pas këtij suksesi Napoli ngjitet në kuotën e 56 pikëve për vendin e tretë, ndërsa Torino me 30 pikë mbetet në vendin e 14-të. Sot vijojnë tre ndeshjet e radhës për këtë raund të Serie A, me Juven që pret Pisan në orën 20:45 në Torino.
Komente









