Banorë të fshatrave të njësisë Thumanë, sot për të katërtën herë radhazi, protestuan pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar.

Shkatërrimi i rrugës së Gramzës nga automjetet, të cilat devijojnë këtë aks të autostradës, dhe mungesa e interesit të ARRSH dhe Bashkisë Krujë në investimin e kësaj rruge prej rreth 500 metrash, i detyron banorët e zonës të bllokojnë rrugën në shenjë proteste.

Për rreth një orë banorët qëndruan në rrugë, duke bllokuar qarkullimin, ndërsa apeluan institucioneve për investime në rrugët e dëmtuara të Krujës, një ndër zonat më me pak investime dhe e lënë jashtë vëmendjes së qeverisë.