Futbollisti i Kombëtares Myrto Uzuni ka qenë protagonist absolut në fundjavë në kampionatet europiane ku luajnë shqiptarët. Sulmuesi që është pjesë e Ferencvaros ka realizuar 6 gola në fitoren e thellë 0-9 kundër Hatvan për Kupën e Hungarisë. Për herë të fundit 6 gola në një ndeshje futbolli në Hungari kishte realizuar legjenda e Ferencvaros Florian Alberti në vitin e largët 1960. Alberti është edhe futbollisti i vetëm hungarez që ka fituar një top të artë.
Lajme të mira vijnë edhe nga Polonia ku shqiptari Ernest Muçi jo vetëm që po merr më shumë minuta me Legian e Varshavës, por edhe po realizon gola. Sulmuesi 20-vjeçar që më herët ka qenë pjesë e Tiranës realizoi golin e dytë në fitoren 3-1 kundër Lecnas. Në minutën e 27 Muçi u tregua shumë këmbëngulës duke mbrojtur topin mes shumë kundërshtarët dhe për pasojë duke gjetur rrugën e rrjetës.
Ndërkohë në Seria A Rei Manaj ka marrë minutat e para si futbollist i Spezias, që këtë javë fitoi 1-2 në transfertën kundër Venecias. Sulmuesi i kombëtares u fut në lojë në minutën e 70, ndërsa ishte pjesë e skuadrës kur u realizua goli i fitores në minutën e 94.
Për t’u evidentuar këtë javë ishin edhe lotët e portierit të kombëtares që luan për Lazion Thomas Strakoshën. Gardiani kuqezi mori mesazhe mbështetëse nga tifozët në stadium pavarësisht se në mesjavë gabimi i tij i kushtoi ekipit humbjen në Europa League kundër Galatasarayt. Në një reagim të tijin Strakosha ka deklaruar se ky moment do të mbetet i fiksuar për të gjithë jetën e tij.