ANGLI - Manchester City triumfoi 1-2 me përmbysje të dielën kundër Liverpoolit, në supersfidën e raundit të 25-të të Premier League, duke marrë tri pikë jetike në garën për titullin kampion. Ndeshja në 'Anfield' ishte spektakolare.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me dy skuadrat që u treguan të kujdesshme, ndërsa fraksioni i dytë solli emocione të forta. Liverpool kaloi i pari në avantazh në minutën e 74-t, kur Szoboszlai dërgoi topin në rrjetë dhe ndezi entuziazmin e tifozëve vendas pas një goditje dënimi perfekte.
Reagimi i 'Qytetarëve' ishte i menjëhershëm. Në minutën e 84-t, Bernardo Silva barazoi shifrat pas asistit me kokë nga Haaland, duke rikthyer Cityn në lojë. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, erdhi përmbysja e madhe. Në minutën e 93-të, Erling Haaland u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe i dha fitoren skuadrës së Pep Guardiolës. Penalltia u shkaktua pas një pakujdesie nga portieri Alison.
Drama vijoi deri në shtesë, pasi në minutën e 100-të, City shënoi edhe golin e tretë me Cherki, por realizimi u anulua për faull të Haaland gjatë aksionit. Po në atë moment, Szoboszlai u ndëshkua me karton të kuq, pasi ndali në mënyrë të parregullt sulmuesin norvegjez. Më pas ishte radha e Gigio Donnarummas që të bënte një pritje të mrekullueshme dhe t'i jepte Cityt suksesin e plotë në mitikun 'Anfield'.
Me këtë sukses, Manchester City mban vendin e dytë në renditje me 50 pikë, duke ndjekur Arsenalin kryesues që ka 6 pikë më shumë. Liverpooli mbetet në vendin e gjashtë me 39 pikë.
Komente








