Serie A e futbollit në Itali mbylli të hënën raundin e 35-të. Në "Luigi Ferraris" vendasit e Genoas u përmbysën 1-2 nga Milani. Kjo është ndeshja e gjashtë e kuqezinjve që me Conceiçaon në stol ia dalin të kthejnë rezultatin, ose thënë ndryshe +16 pikë në klasifikim.

Milani e sheh veten me tre fitore radhazi, dy në kampionat dhe një në Kupën e Italisë, ku eliminoi Interin. Me vetëm shtatë ditë larg nga finalja e Kupës kundër Bolognas, tri pikët në udhëtim janë një bonus i madh moral për djemtë e Conceiçao që duket se nuk do e arrijnë objektivin Evropë, pasi janë gjashtë pikë larg.

NDESHJA - Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në minutën e 61-të Vitinha befasoi Milanin dhe dërgoi tifozët vendas në festë me golin e tij. Pas këtij momenti Milani 'u zgjua' dhe paçka rebeshit në 'Marasi' ishte Leao që barazoi pas asistit të Gimenez në minutën e 76-të. Festa do ishte dyfishe për kuqezinjtë, që vetëm një minutë më vonë shënuan edhe golin e tri pikëve. Leao bëri që Frendrup ta dërgonte topin në rrjetën e tij duke i dhënë një sukses të merituar ekipit nga Milano.

RENDITJA - Me 57 pikë Milani mban pozitën e nëntë në renditje, gjashtë pikë pas Lazios që për momentin ndodhet në vendin e gjashtë dhe merr një biletë për në Conference League. Genoa me 39 pikë e ka siguruar mbijetesën dhe tre raunde nga fundi i sezonit e sheh veten në vendin e 13-të.

Ndërkohë Napoli me 77 pikë kryeson renditjen, ndjekur nga Interi me 74, Atalanta me 68-të dhe Juventusi, Roma e Lazio me 63 pikë. Ndërkohë matematikisht Napoli dhe Interi kanë siguruar një biletë për në Champions League sezonin e ri.

Ndeshjet ku Milani ka marrë pikë duke kthyer rezultatin me Conceiçaon në stol:

Serie A

1. Como-Milan nga 1-0 në 1-2 (+3)
2. Milan-Parma nga 1-2 në 3-2 (+6)
3. Leçe-Milan nga 2-0 në 2-3 (+9)
4. Milan-Como nga 0-1 në 2-1 (+12)
5. Milan-Fiorentina nga 0-2 në 2-2 (+13)
6. Genoa-Milan nga 1-0 në 1-2 (+16)

Superkupa e Italisë

7. Juve-Milan nga 1-0 në 1-2
8. Inter-Milan nga 2-0 në 2-3

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 11 Qershor, 23:51

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?