Të dy kanë dhënë një konferencë për shtyp për gazetarët, ku Cipollone ka theksuar se "ka ardhur për të dëgjuar qëllimet e qeverisë".
"Diskutuam përparësitë që ka qeveria dhe se si Banka Botërore mund ta ndihmojë Shqipërinë në këtë fazë. Jo vetëm me anën financiare, por dhe përmes përvojës së ekspertizës që ka BB. Shumë nga sfidat zhvillimore me të cilat përballet Shqipqëria janë të njëjta me shumë vende me të ardhura të mesme. Ne kemi krijuar përvojën e duhur për gjetjen e zgjidhjeve dhe për Shqipërinë", u shpreh Cipollone, duke shtuar se "do japim këshilla për atë që mendojmë se qeveria mund të bëjë në këtë drejtim".
Ellen Goldstein, drejtore e BB për Europën Juglindore, u shpreh se "që kur qeveria e re Rama ka ardhur në pushtet ne kemi dhënë mesazhe; një prej të cilëve masa për të parandaluar krizën". "Nuk keni krizë, por ka disa pika të dobëta që lidhen me sektorin energjitik. Këshilla e dytë: përmirësimi i klimës së biznesit, që të çlirohen të gjitha energjitë për përmirësimin e klimës", shpjegoi Goldstein, duke shtuar se këshillë tjetër është mbrojtja e pasurive natyrore që ka Shqipëria. "Për sa i takon borxhit publik e denim që po shkonte drejt niveleve shqetësuese. Kjo është tendencë që shihet në gjithë Europën, për të nxitur zhvillimin. Por duke pasur parasysh nivelin e të ardhurave në Shqipëri kjo duhet bërë me shumë kujdes, për të parë se ku mund të shkosh", tha Goldstein.
"Ajo që na kënaq me qeverinë e re është se po bën inventarizim të detyrimeve të pashlyera, të cilat nuk e dinim se ku ishin tamam. Ato kanë qenë aty, por tani do merren parasysh dhe kjo do rrisë nivelin e borxhit. Po bisedojmë me FMN partnerët tanë për të gjetur një mënyrë për të stabilizuar nivelin e borxhit publik", analizoi Goldstein.
Ajo ka shtuar se qeveria shlyerjen e borxhit ta bëjë këtë duke realizuar njëkohësisht detyrimet e saj për vendet e punës, përmirësimin e mirëqenies së njerëzve. "Ne kemi një portofol që është në zhvillim, por po shohim aspekte të reja, dy aktivitete të reja; të mbështesim investime në sektorin energjitik, furnizimin me ujë, dhe shpresojmë se për njërin fillojmë negociatat pas kësaj jave".
"Ndërhyrjet e dyta do të jenë ato me mbështetjen e drejtpërdrejt të buxhetit, që lidhen me reformat për stabilitetin makro-fiskal. Do diskutojmë me qeverinë për programin e reformave që ka ndër mend të realizojë dhe nga çfarë kemi dëjguar ndihemi të inkurajuar dhe në pranverë do jemi në gjenje të ofrojmë këtë mbështetje", u shpreh Goldstein.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, zyrtarët e Bankës Botërere Ellen Goldstein dhe Piero Cipollone janë deklaruar pro sistemit të taksave në mënyrë progresive, ndërsa kanë bërë të ditur se, BB-ja do të japë disa hua për Shqipërinë.
Meqenëse situata ekonomike në Shqipëri është e vështirë, a është zgjidhje e duhur për vitin 2014, ulja e taksave apo sugjeroni tjetër rrugë?
Cipollone: Ky është mendimi im personal, jo i Përsa kohë që ka një kuadër fiskal të kujdesshëm, të ndihmosh pjesën më të vafër të popullsisë së një vendi, është baras me atë që, Banka Botërore do të merret me uljen e varfërisë dhe shpërndarjen ekonomike në një vend. Kjo duhet bërë në një kuadër të kujdesshëm fiskal dhe ekonomik. Ndryshe, kjo ndërhyrje do të ishte shumë e rrezikshme. Nëse do rrezikohej qëndrueshmëria e buxhetit do të ishte e rrezikshme kjo ndërhyrje.
Goldstein: Nga të gjitha vendet e Europës, Shqipëria ka sektorin më të vogël publik. Kemi theksuar disa ide që janë të rëndësishme për qeverinë.
E para: Mund të rrisësh taksat për dikë, por duhet ti ulësh për dikë tjetër
E Dyta: Mund të rritet progresiviteti i taksave, me qëllim që ata që kanë më shumë para të paguajnë taksa më shumë
E Treta: Të ulet evazioni fiskal dhe të rritet numri i atyre që paguajnë taksat
E katërta: Të ekzistojnë mekanizmat e mbrojtjes për qytetarët e varfër.
Ngadalësimi i kredisë bankare për sektorin privat. Huatë e këqija?
Cipollone: Kjo është një çështje shumë serioze. Ka dy çështje: Një pjesë e problemit është se një pjesë e kompanive presin të marrin nga qeveria detyrimet e pashlyera dhe shlyerja e këtyre detyrime do të ishte me vlerë. Çështja tjetër ka të bëjë me koletaralin që kërkojnë bankat në Shqipëri dhe ky është një tjetër problem i rëndësishëm, që është afatgjatë.
Goldstein: Në lidhje me huanë që do të japë BB, ministri i Financave ndihet i inkurajuar për këtë fakt dhe gazetarët duan të shikojnë shifrat se sa e madhe është. Ne nuk do të japim një hua, por disa hua, dhe ajo që ka pasur parasysh ministri financave ka qenë ajo e mbështetjes buxhetore. Po bëhet një analizë financiare, kështu që jemi në fazë të hershme për të diskutuar. Huaja do të jetë aq e madhe sa për të mbuluar gropën fiskale, pasi të bihet dakord për kuadrin fiskal dhe pasi të bihet dakord për të gjitha këto, do të mbetet një deficit që do të financohet nga burime të ndryshme dhe në fund do të jemi ne.
Si e shikoni ju aktualisht ekonominë shqiptare?
Goldstein: Sipas raportit dy vjeçar të ekonomisë, që ne nxjerrim, rritja ekonomike e Shqipërisë është ngadalësuar në shifra vitet e fundit. Nuk është e çuditshme duke pasur parasysh krizën në Europë. Ne mendojmë se në gjithë Ballkanin dhe sidomos në Shqipëri ka përpjekje për rimëkëmbje. Shkalla e rritjes shkon, 2 deri në 3 për qind në vit.
Kur i referoheni taksës progresive, i referoheni vetëm të të ardhura personale ?
Goldstein: Banka Botërore nuk ka dhënë një rekomadim të saktë për sistemin e taksave në Shqipëri, por megjithatë ne i kemi vënë në dukje qeverisë, mendimet tona për taksat progresive. Taksat e larta mund të dëmtojnë investimet. Në Shqipëri, sistemi i taksave nuk është progresiv. Nëse qeveria është dakord, Shqipëria është në gjendje që të fusë një sistem taksash progresive.
Paketa e ndihmës për mbylljen e gropës se buxhetit, kur do të lëvrohet. Do të jetë pjesë e llogaritjeve të buxhetit të qeverisë?
Goldstein: BB në shkallë botërore është si huadhënës i shkallës së fundit, por kjo nuk do të thotë se vendi është në krizë, por se vendi duhet të shikojë edhe fonde të tjera, si ai nëpërmjet granteve. Kur lind nevoja vendet na drejtohen. Ju keni të drejtë që kjo do të bëhet pjesë e buxhetit të qeverisë. Paratë do të shkojnë drejt e në buxhet. Është shumë herët për të dhënë një kohë të saktë se kur do ta disbursojmë këtë fond parash.
Redaksia online
(mag/ac/shqiptarja.com)