Sipas policisë, trafikantët për t'i shpëtuar forcave detare, i vunë flakën mjetit lundrues bashkë me kanabisin që ndodhej në të.
Policia e Vlorës bën të ditur se transportuesit e lëndës narkotike janë italianë, pasi gomonia me të cilën ata udhëtonin rezulton e regjistruar në shtetin fqinj.
Pasi kanë djegur gomonen, personat e paidentifikuar janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa kanë fshehur në pyll rreth 224 kg kanabis.
Policia e Vlorës ka bërë sot publike detaje të operacionit, ku thekson se mjeti tip gomone, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës Mercury" me fuqi motorike 350hp, u gjet në det teksa ishte djegur plotësisht në pjesën fundore, ndërsa në bordin e mjetit vazhdonte të digjej një lëndë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.
NJOFTIMI I POLICISE:
Mbi bazën e informacioneve të marra më parë, efektivat e Policisë Kufitare të D.R.K.M Vlorë kanë nisur një operacion gjatë natës së datës 13 Nëntor dhe paradites së datës 14 Nëntor.
Mjetet detare të Policisë Kufitare Vlorë e Dhërmi dhe të Guardia di Finanza-s, janë vënë në ndjekje të mjetit lundrues.
Gjatë mesditës së datës 14 Nëntor Shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit Dhërmi kanë konstatuar në sektorin Rrugët e bardha -Gjiri Gramës, në vendin e quajtur "Gjiri Shën Andreas", Karaburun në breg, një mjet lundrues tip gomone, i cili po digjej dhe në afërsi të tij disa qese dhe thasë plastmasi.
Përshkrimi i mjetit lundrues përputhej me informacionin që dispononte Policia dhe që ishte vënë në ndjekje të tij.
Menjëherë nga DVKM Vlorë, u morën masa dhe me mbështetjen e D.V.P. Vlorë dhe Delta Force dhe Guardia di Finanza, u ushtruan kontrolle nga deti dhe toka për personat që dispononin këtë mjet lundrues dhe që i kishin vënë flakën për t'i shpëtuar Policisë.
Nga veprimet e para të kryera nga grupi hetimor rezultoi se mjeti ishte tip gomone, me gjatësi 12 metra, me dy motorë të markës Mercury" me fuqi motorike 350hp i cili në pjesën fundore ishte i djegur plotësisht ndërsa në bordin e mjetit vazhdonte të digjej një lëndë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Në vendin përreth gomones gjendej e përhapur dhe në thasë plastike lëndë e dyshuar Cannabis Sativa dhe qese plastike të ambalazhuara me mbishkrime në gjuhën Italiane.
Po gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar u gjetën edhe disa pako të mëdha me lëndë narkotike.
Përreth vendit ku u konstatua gomonia si dhe në zonën e pyllëzuar u gjet dhe u sekuestrua rreth 224 kg lëndë narkotike.
Nga Policia po vijon krehja e zonës për kapjen e personave të dyshuar.
Provat materiale të gjetura në vendngjarje u transportuan nga Mjeti i Delta Forcë dhe mjeti i Guardia di Finanza, për në Vlorë dhe ju kaluan për veprime të mëtejshme proceduriale Seksionit të Narkotikëve në D.V.P Vlorë.
Po punohet për identifikimin e mjetit lundrues dhe të autorëve të kryerjes së kësaj vepre penale.
Veprimet dhe verifikimet u bënë bashkë me Nuklin e Guardia di Finanza të Vlorës.
(er.nu/shqiptarja.com)