Gorilla!

Gorilla!

Berisha dhe familja e tij 'non grata'

Eksperimenti social që lidhet me këtë subjekt nuk ka aq lidhje me gorillën por me një kamuflim me imazhin e këtij gjitari. Dy sociologë amerikanë Chris Chabris dhe Dan Simons në vitin 1999 ishin shumë të dhënë pas eksperimenteve, ku donin të provonin verbërinë e pavullnetshme sociale të individit. Me këtë rast, ata, kryen një eksperiment, që tashmë njihet si “Eksperimenti i Gorillave të Padukshme”. I ngarkuan vëzhguesit në eksperiment, asokohe i panjohur, të numëronin pasimet me topin e basketbollit të dy grupeve vullnetarësh që ndërvepronin me njëri-tjetrin. Ndërsa po kryhej eksperimenti, në mes, ndërhyri një individ i kamufluar me lëkurën e gorillës, duke bërë një ecje të lirë mu në mes të pasuesve së topit. Askush nuk e vërejti gorillën pasi të gjithë do ishin të ndërfutur në numërimin e saktë të pasave. Arsyetimi i sociologëve do ishte i thjeshtë: “përqendrimi i së paku gjysmës së vullnetarëve ishte aq i madh tek numri i pasimeve, sa nuk mbeti vëmendje për të reaguar ndaj një paraqitje kaq të dukshme”.

Prej muajsh, njerëzit i kanë harruar njerëzit e “non-gratave” në Shqipëri, ku kuptohet se emri i Sali Berishës është kryesori, pasi po merren me një aktivitet që është shumë larg punës së opozitës dhe në rastin tonë: bashkimit të vërtetë të PD-së, partisë së vetme potenciale në opozitë. Ashtu si për të njëjtën arsye, prej 6 Dhjetorit, veç goditjes së beftë të Berishës (njerëzit e arsyeshëm u shokuan sesi mund të goditet një i moshuar dhe mbi të gjitha një ish-president) pakkush në Shqipëri i bëri përshtypje se vendimi i Gjykatës së Apelit sa i përket ankimimit të Alibeajt, i cili ka kërkuar që vendimet e kuvendeve të 17 korrikut dhe 18 dhjetorit të regjistrohen bashkë, është shtyrë sërish. Paçka se, shqyrtimi i kësaj çështjeje në Gjykatën e Apelit edhe në rast se në datën e re do të ketë vendimmarrje nuk do të zgjidhte asgjë në mënyrë përfundimtare sa i takon statutit të Partisë Demokratike, që njihet deri më tani ligjërisht. Kjo do të thotë amullia tek PD-ja të zgjatet, kurse me shumë gjasë, kjo parti të mbetet e ndarë dhe të eksportojë kaos.

Aman, kjo i ka shërbyer Berishës, për t’u rikthyer në syrin e militantëve si viktimë e prekur nga të huajt “e fuqishëm” (nuk mbeti faktor politik i të gjithë piramidës drejtuese shqiptare dhe ambasadave, që nuk e dënuan aktin, kuptohet pa përmendur emrin e kryetarit pa tagër zyrtar), bëhet fjalë për ambasadoren në largim Kim dhe, identifikimit para tyre, si personazhi aktual kryesor i opozitës shqiptare. Tashmë, në simbolikën e eksperimentit të gorillës, gjendja e PD-së ka shkuar në kalenda (numërimi i datave nuk mbaron ashtu si edhe kaosi i përplasjes) ngaqë nuk “vërehet” teksa kryetari de facto ka marrë të gjithë protagonizmin. Me politikën e tij klasike të sajimit dhe improvizimit të momentit, tashmë PD-së i kanë humbur të gjitha përpjekjet për t’u ribashkuar. Si për ta bërë edhe më të dhimbshme, një tabor i tërë po merret me look-un e Berishës dhe kinse ngjashmëritë e tij me botën e Hollywood (i frikshëm niveli i shpurës së afërt) por jo me alternativat që kjo forcë mund të ofrojë dhe çfarë do bënte ajo në kushtet e drejtimit të Shqipërisë. Anipse, me shumë gjasë do të ndodhte, ajo që në fakt e solli Ramën në pushtet (në kahun ndryshe) me sloganin: Të heqim Berishën dhe të nisim Rilindjen! Aman, publiku opozitar, nuk po sheh se kjo gjendje po merr energji, përpjekje dhe dëshirën publike të kemi një opozitë me program të prekshëm dhe real dhe po i largon nga thelbi i problemit dhe përçarja. Për fat të keq, kjo gjendje e goditjes së Berishës, tashmë po merr dhe planet se me çfarë dhe sesi do përballet opozita në pushtetin lokal dhe mbi të gjitha se: njeriu kryesor që i drejton është thellësisht “non-grata”. Që do të thotë veç dy penalizimeve SHBA& Mbretëri e Bashkuar është i veçuar dhe nga e gjithë Evropa…Gorilla që kalon para syve të tyre nuk shihet më. A është kjo një mënyrë e re improvizimi për ta lodhur dhe trysnuar Gjykatën, që nëse rrëzon ankimin e Enkelejd Alibeajt, atëherë për Berishën të lindi e drejta edhe morale për ta regjistruar statutin e 11 dhjetorit në regjistrin kombëtar të partive, duke mbajtur në mënyrë definitive edhe zyrtarisht vulën dhe firmën e PD-së ?! Këtë vështirë ta thuash. Përveçse me lajmërimet për protestat hipotetike dhe tam-tamet e militantëve që shpallin gati luftë sa herë hapin gojën, kurse me gjuhën e Berishës transformohet në revolucion duket më shumë si një ngjarje e stërndodhur viteve të shkuara.

Në të gjithë këtë situatë tashmë janë harruar dhe pak elementë të tjerë, atë që e tregon të gjithë shoqërinë tonë aq të papërgatitur: atë sesi Berishën e braktisën njerëzit e vet. Një eskortë e tërë, që dështoi, duke na dhënë imazhin sesi personalitetet politike janë aspak të mbrojtur profesionalisht ose më saktë se kuptimi që kemi për bodigartët dhe njerëzit që na mbrojnë është i mbushur me shumë fetishe. Të mbushur me emrat e importuar si: bodigardë, gorilla, të fortë, duket se djemtë e grupeve të mbrojtjes nuk e përmbushin dot atë që ne kemi në kokë prej imazhit gjithë muskuj dhe mbushur me detajet lëbyrëse, mbase, jo sepse nuk janë të përgatitur, porse nuk kuptojnë që misioni i tyre është të jenë të padukshëm. Tek ajo ditë, p.sh. truprojat ishin më të dukshëm para Tv-ve edhe se vetë Berisha…Tek filmi: “The Bodyguard”, Whitney Houston, në takimin e parë me Kevin Costner, në rolin e truprojës, i thotë e zhgënjyer : “Ti nuk më dukesh fare si një truprojë”. Ai i përgjigjet: “Ky është pikërisht maskimi im”. Atë çast, Berisha u la sepse eskorta e tij iu kundërvu agresorit, që mori atributet e viktimës, e dukesh më shumë e dukshme para televizionit me brutalitetin sesa për kujdesin e njeriut, që duhet t’i ruajnë e t’i kushtojnë madje edhe jetën. Kuptimi më i madh i njerëzve që e rrethonin kishte marrë dhe vërtetoi përcaktimin e dikurshëm të gorillës (kështu u thoshin dikur truprojave, sepse zgjidheshin thjesht me mik për të trembur njerëzit) sepse iu sulën një njeriu që tashmë ishte neutralizuar krejtësisht sesa po bënin truprojën. Berisha mbeti i padukshëm dhe pakkush do të vërente sesi lideri u ringrit dhe arriti madje të bëjë protagonistin, duke e shkëputur krejtësisht vëmendjen e faktorit të brendshëm nga çdo gjë, madje edhe nga ajo që ishte më e dukshmja: Samiti.

Shqipëria e sotme është vetë një eksperiment, por duket se edhe eksperimente të tilla zenë vend dhe na bëjnë pjesë të botës së madhe. Sot, nuk e shohim më dot të përditshmen, pasi Opozita po merret vetëm me një akt, që u tejkalua për fat me shumë sportivitet edhe nga vetë Berisha, falë kushteve të veta fizike. Ashtu si e kemi të vështirë të shohim se me çfarë po përballemi realisht. Ne, të gjithë, nuk po e shohim gorillën që na kalon përmes, ashtu si njerëzit e humbën kuptimin e asaj pse u bashkuan atë ditë, jo thjesht pse nuk bënë punën e tyre, porse nuk shohin dot atë që e ka bërë kaq të vështirë rrugëtimin tonë në demokraci. Sot, institucionet e shtetit shqiptar nuk shikojnë përditshmërinë e tyre, por merren me DASH-in dhe mbylljen e mandatit të ambasadores apo në garë se cili është apo jo më shumë pro-amerikan. Ndërkohë në Shqipëri përballë nesh parakalon varfëria, dhuna kurse bjerrjen e vlerave e kemi përballë dhe nuk e shohim duke u bërë tifozë të eksperimentit dhe sajimit që na bën mjeshtri Berisha dhe të tjerë, duke na e shkëputur vëmendjen vazhdimisht nga ajo që ëndërrojmë të gjithë për vendin tonë. A do futet në rrjedhën normale opozita për të kapur kohën dhe misionin e saj? Kjo është e vështirë të thuhet…, përderisa gorilla na kalon para syve dhe ne nuk e vërejmë sepse jemi të zënë me pasimet e pafundme ë lojrave që i bëjnë pushtetarët njëri-tjetrit. Askush nuk mendon dot për korrupsionin, paratë e krimit, pse na duhet amnistia fiskale apo pse jemi në listën gri të pastrimit të parave nga veprimtaritë kriminale?! Hapim sytë dhe nuk kuptojmë ende sesi një familje i duhet të punojë mesatarisht gati çerek shekulli të blejë një shtëpi të zakonshme! Gorilla që na kalon para syve është e heshtur dhe krejt e qetë, sepse sytë na i lëbyrin gjërat krejt skajore. (Homo Albanicus)

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eli: 15/12/2022 03:48

    Inke rene pikes Edi....Gorilla!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e qeverisë gjatë vitit 2024?



×

Lajmi i fundit

Kurti quajti 'kërmijë dhe lepuj' Prokurorinë Speciale! Ish-diplomati në Report Tv: Deklarime të tilla do i kushtojnë, kryeministri nuk e ka imunitet arrestimin

Kurti quajti 'kërmijë dhe lepuj' Prokurorinë Speciale! Ish-diplomati në Report Tv: Deklarime të tilla do i kushtojnë, kryeministri nuk e ka imunitet arrestimin