TIRANE- Ervis Lami, Aldi Meçini dhe Olsi Maçi kanë qënë njerëzit nga jashtë burgut që kanë realizuar me përpikmëri të gjitha porositë e të dënuarit me burg përjerë, Admir Tafili. Ervis Lami një i dënuar për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë, kishte një detyrim shumë të lartë ndaj Admir Tafilit, pasi ky i fundit e ka mbajtur pranë në burgun e Fushë-Krujës, ku Lami ka vuajtur dënimin me 3.4 vjet burg dhënë nga gjykata e Tiranës. Për këtë, Lami ka marrë përsipër të verë në plan një operacion arratisje të përpiluar me përpikmëri nga Tafili, Marashi e Guri, si dhe zbatuar në teren sërisht me saktësi nga Lami, Meçini dhe Maçi.

Të tre këta persona, veç goditjes së burgut me armë dhe prerjes së telave, kanë arritur të venë në rrugën në afërsi të burgut dhe një litar të mbushur me gozhdë metalike, në mënyrë që të shmangnin një ndjekje të mundshme me makinat e burgut. Sipas prokurorisë qëllimi i këtij litari me gozhdë ishte që makinave të policisë ti çaheshin gomat, duke bërë dhe të pamundur ndjekjen e të arratisurve.

“Faleminderit gjithsesi”

“Jam i dënuar me burgim të përjetshëm por faleminderit gjithsesi”. Kështu është përgjigjur Admir Tafili, fill pasi gjyqtari i çështjes i ka komunikuar masën e sigurisë të “Arrestit në burg”. I dënuari me burgim të përjetshëm është paraqitur në gjyq këmbë e duar, i lidhur me zinxhirë, ndërkohë që tre policë i qnëdronin nga pas. Para gjykatës, Tafili ka dhënë gjeneralitet dhe më pas ka marrë përsipër se ai ishte personi që ka kryer të gjithë planin e arratisjes nga burgu, duke dashur që të lehtësojë me dëshminë e tij, dy shokët e qelisë Fran Marashi dhe Gëzim Guri, si dhe tre personat e tjerë. “Unë kam qënë i vetëm ai që kam planifikuar arratisjen dhe se këtë gjë e kam bërë në shenjë proteste për një proces të padrejtë ligjor që më është bërë në gjykatë”-ka pohuar Tafili. Ndërkohë që në seancën gjyqësore, prokurori i çështjes ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, kërkesë kjo që është pranuar.

Dalja në televizor
Fran Marashi, i dënuar me burg përjetë ka dalë para gjykatës i lidhur këmbe e duar me zinxhirë. Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë Marashi ka pohuar se ishte dënuar në mënyrë të padrejtë dhe se donte të shkonte në ndonjë studio televizive dhe të kërkonte rihapjen e dosjes së tij. Më tej, Marashi ka shtuar se ai nuk kishte në plan të kryente asnjë krim, pasi e konsideronte veten të pafajshëm dhe jo kriminel. “Më kanë akuzuar si autor të masakrës së “Urës Vajgurore”, por unë në fakt skam lidhje me këtë ngjarje dhe se nuk kam vrarë asnjë person”-ka pohuar Marashi. Ndaj këtij të fundit gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Përfitova nga rasti
Gëzim Guri dhe Gëzim Goro, të dy të dënuar me burg përjetë janë shprehur në gjykatën e Korçës, se ata nuk kanë qënë pjesë e planit të arratisjes, por kanë përfituar nga rasti. “Nuk kemi qënë ne pjesë e planit, por vetëm se arritëm të përfitonim dhe të dilnim”-janë shprehur Goro dhe Guri. Ndërkohë për të dy këta persona gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg. Të njëjtën masë, gjykata e Korçës ka vendosur edhe për tre personat Ervis Lami, Aldi Meçini dhe Olsi Maçi, të cilët kanë krijuar kushtet e nevojshme për arratisjen nga burgu i Drenovës. Të tre këta persona, kanë pohuar kanë pohuar se nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Shkrimi u publikua sot (27.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)