Gozhda e Nastradinit është Spartak Braho, politikani i vjetër, një nga më të afërtit me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Ustai i vjetër, që është shfaqur në shumë situata të sikletshme për çdokënd, por shumë komode për të. Po ç’lidhje kanë “Gozhda e Nastradinit”-Braho, Meta dhe Rama? Në lojë ka hyrë Shpëtim Idrizi dhe PDIU që, me pesë votat në Kuvend, ndryshon shumë ekulibra. Shumëkush komenton se dëshira e madhe e Ramës për të afruar në qeveri PDIU-në, një parti opozitare, kundërshtare në zgjedhjet e 23 qershorit, lidhet me numrat e kësaj force politike në Kuvend.

Lidhet edhe me votën e “personazhit Qife”, aq të përmendur nga kreu i PS në fushatë. Partia Socialiste në mazhorancën e sotme ka 66 deputetë në Kuvend, plus 5 të PDIU-së bëhen 71, aq sa duhen për të mbajtur në këmbë një qeveri. Por, jo pa humor, dhe jo pa qëllim, Ilir Meta iu përgjigj me pyetjen “Po Spartak Braho?”, kur u pyet ne emisionin “Top Story” për këtë çështje. Braho është në Kuvend si deputet i Partisë Socialiste. Ish-funksionari i lartë i LSI, në zgjedhjet e 23 qershorit u vendos në listën e PS dhe duket jo pa qëllim. Duket sikur Meta ka lënë gozhdën në partinë e Ramës në bazë të kalkulimeve tepër të sakta elektorale që para zgjedhjeve. Me Brahon, PS nuk i ka të sigurta 66 votat dhe, me votat e PDIU-së, në rastin më të mire, arrin vetëm 70 vota në Kuvend.

Të gjitha llogaritë tregojnë që, me hir apo me pahir, kjo aleancë, që po drejton vendin, të bashkëjetojë gjatë në qeverisje. Ndërkohë, afrimi i votave të PDIU-së në qeverisje krijon një supermazhorancë, që lejon qeverinë të realizojë çdo nismë dhe reformë të nevojshme.

Braho, ndërkohë, është kthyer në kalin e disa betejave të rëndësishme, jo vetëm për LSI-në. Ai ka në dorë raportin e Kuvendit, ku faktohen emrat e shumë politikanëve, gazetarëve e biznesmenëve të përgjuar nga SHISH. Sipas të dhënave konfidenciale të raportit, SHISH drejtuar nga Visho, i ka bërë 700 përgjime Ilir Metës. Në listën e të përgjuarve nuk janë vetëm kundërshtarët politikë të Berishës, por edhe bashkëpunëtorët e tij, si Lulzim Basha. Të dhënat sekrete janë në dorën e Brahos, ashtu siç ranë më herët të dhënat e skandalit me serverin e Tatimeve.

Sërisht ishte Braho që ndoqi direkt nga afër një çështje shumë delikate, ku shfaqen emra personash dhe kompanish, që kanë përfituar nga manipulimi i të dhënave tatimore para 23 qershorit. Edhe më parë, Braho luajti një rol deçiziv në çështjet ku u përfshi ligjerisht edhe kryetari i LSI. Tani Braho është në mesin e deputetëve të PS, si deputet i kësaj partie, po sigurisht ai, me zemër dhe mendje, është te forca e tij politike, LSI. Njeriu i lojrave të rënda tashmë po merret me përgjimet e SHISH dhe është në qetësi.

Humori i Metës, duke pyetur “Po Spartak Braho?”, mbase është një zbulim i qëllimit kryesor se përse ai ndodhet në mesin e PS-së si i dërguar i LSI-së. A është ai garancia e numrave të mazhorancës?!
Probleme të dukshme nuk janë shfaqur, por, nëse shfaqen, Braho është gati…!


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)