TIRANE-Nëntë pjesëtarë të komunitetit serb të ndaluar të hënën në Gracanicë afër Prishtinës, janë lënë të mbrohen në gjendje të lirë. Të gjithë ata ishin ndaluar nga policia e Kosovës gjatë kremtimit të krishtlindjeve ortodokse, në Graçanicë dhe u ishte caktuar masa e ndalimit 48 orësh.

Sipas policisë “personat e dyshuar janë ndaluar pasi që gjatë përcjelljes së shefit të zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin, që ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshje të njëjtë, prandaj për shkak të sigurisë së personalitetit policia i ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor. Personat e ndaluar gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë autokolonën e zotit Vulin dhe kanë kryer veprime të dyshimta për policinë e Kosovës”, thuhej në njoftimin e policisë së Kosovës.

Ata u lanë të lirë në mbrëmjen e së martës, ndërsa ndaj tyre do të vazhdojë procesi nën dyshimet për prishjen e rendit dhe qetësisë publike dhe mos dëgjueshmëri ndaj personave zyrtar.

Autoritete serbë thanë se ky ishte një veprim i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Shefi i zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin tha se veprimet e tilla mund të dëmtojnë edhe procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

(voa/sg/shqiptarja.com)