Banorët e fshatit Baks-Rrjoll të Velipojës vijuan sot ditën e tretë të protestave kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulajt, të cilin e akuzojnë se u ka grabitur pronat përmes falsifikimit të dokumenteve.
Avokati Ndue Pjetri i mbështet plotësisht banorët duke shpjeguar për “Studio Live” në Report TV sagën e ngjarjes. Ai thotë se banorët i kanë pronat prej më shumë se 100 vitesh, por shteti nuk ua ka dhënë dokumentet. Në vitin 1995, kanë marrë vërtetimet e faktit juridik, por jo pronësinë. Në vitin 2018-2019, një person, Fatmir Shpellzaj, ka pretenduar se tokat janë të gjyshit të tij, kur në fakt s’ka asnjë pronë, thotë avokati.
Pjetri nënvizon se një person i quajtur Fatmir Shpellzaj, në bashkëpunim me botuesin pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë marrë pronësinë e tokës ku ka nisur puna për të ndërtuar resortin. Sa për SPAK, Pjetri shprehet se kallëzimi i banorëve duhet të hetohet nga ky institucion, pasi sipas tyre në falsifikimin e dokumenteve janë të implikuar edhe gjyqtarë.
“Duke vepruar krimi, bandat e Shkodrës bashkë me Fatmir Shpellzën, bashkë me ndërtuesin, Bashkim Ulajn. Të tre së bashku i kanë falsifikuar këto dokumente, nuk është se i ka bërë një i vetëm. Ai në vitin 2018 është kujtuar, i ka thënë ai Bashkim Ulaj a ke mundësi ta marrësh, nëse e merr, po e marr unë se jam drejtori i hipotekës, si s’e marr? E kishte mundësinë dhe mbështetjen. Si përfundim ka bërë letrat dhe i bëri për një vit. Pra këta kanë që në vitin 1994 dhe s’kanë arritur t’i bëjnë, po këtë pronë që e kishin me vendim të faktit juridik dhe dokumente të vitit 1937, nuk arritën ta merrnin dhe e merr ky për një vit. Nuk ka nevoje SPAK-u fare të pyesë. Të bëjë kërkesë a kallëzim, por sa të vihet në dijeni, ka të drejtën e tij për të filluar. Këta tre gjyqtarë që dhanë vendimin për një vit, janë të implikuar se po të dojë SPAK-u t’i hyjë, i hyn dhe thotë këta tre gjyqtarë kanë marrë nga 20 mijë metër tokë, nuk e kanë marrë në emrin e vet, por të tjetrit dhe fare mirë SPAK-u mund t’u thotë, hajde këtu more zotëri, si u bëre pronar ti për 20 mijë metër?”, tha Pjetri.
Ai shton se banorët janë të gatshëm të lënë institucionet të bëjnë punën e tyre nëse vërtetohet e kundërta.
“Ky nuk është investitor strategjik që të ketë mbrojtjen e shtetit. Ky është grabitës me një resort dhe nuk mund të dalin e të thonë që unë jam me letra në rregull. Vendos tabelën e vitit 2023 brenda natës me qëllim që të krijojnë idenë”, tha avokati për Ulajn, teksa bëri edhe një thirrje: “Mos ta lënë atë vend të degradojë. Degradimi është shumë i rrezikshëm.”
Banori nga fshati Baks-Rrjoll në Velipojë, i cili është ndër protestuesit kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt, thotë se ndër vite, gjyqtarët nuk ua kanë pranuar letrat duke shfaqur edhe përbuzje. Prek Molla sjell në “Studio Live” në Report TV një vërtetim pronësie që daton më 31 maj 1995, ku shkruhen emrat e paraardhësve të tij
“Një copë tokë ograj e pyll të Rrjollit”, thotë dokumenti, ndërsa Molla shton: “Është i Rrjollit pylli dhe unë jam Rrjolli.”
Për dokumentet e pronësisë që banorët thonë se Fatmir Shpellzaj i ka falsifikuar duke bashkëpunuar me ndërtuesin dhe botuesin Ulaj, Molla thotë:
“Fatmir Shpellzaj i ka marrë në 1997. Kur shkova unë në ’97 për ta marrë përsëri, për mua s’kishte se ishin djegur, kurse për Fatmir Shpellzën u gjet”, ndërsa nxjerr një dokument tjetër të vitit 1996.
Në të thuhet se bëhet fjalë për një sipërfaqe 240 dynymë.
“Ky vërtetimi hipotekor, në atë kohë, ka qenë origjinal si certifikata që është sot. Kur kam shkuar atje, nuk ka njohur kush certifikatë, por kanë njohur vërtetim pronësie. Kur kam shkuar atje, shteti shqiptar thotë jo, duhet shkuar njëherë në agjencinë e trajtimit të pronave tiranë për ta rifreskuar, për ta kthyer në certifikatë, por për ta kthyer në certifikatë, duhet të shkosh nëpër gjyqe. Pse duhet të shkoj nëpër gjyqe kur e kam të përcaktuar me kufi?”, thotë Molla.
Ai tregon në studio edhe një dokument 100-vjeçar që mbështet gjithashtu pronësisë e objekteve të lartpërmendura.
Avokati Ndue Pjetri thotë se është e nevojshme që SPAK të kryejë një akt ekspertimi që të shihet mbi ç’bazë është bërë pronar botuesi pranë familjes Berisha, Bashkim Ulaj. Ndërsa banori pati edhe një thirrje të fundit për Ulajn”
“Nëse je burrë, vjen e më kundërshton këtë që po them unë! Kaq di t’i them! Nëse është burrë, unë jam burrë t’i dal përpara! Nëse je burrë, eja këtu!”, tha ai.
Në përmbyllje, tha se banorët e Baks-Rrjollit janë të gatshëm ta çojnë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Ne do të shkojmë deri në Strasburg për këtë çështje! Ta harrojnë se na trembin!”, përfundoi banori.

Prek Molla, një banor nga fshati Baks-Rrjoll në Velipojë ku prej tri ditësh vijon protesta kundër resortit të Bashkim Ulajt, përforcon atë që protestuesit thonë prej kohësh: dokumentet e pronave janë të falsifikuara. Ai tregon se bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 1500 dynymësh, dokumentet e së cilës janë falsifikuar nga Fatmir Shpellzaj dhe thotë se mund ta vërtetojë.
“Për pronën që është e falsifikuar, po të flasim me miliona është 1 milionë e 500 mijë metër katrorë, po të flasim me dynymë, është 1500 dynymë. Kjo pronë është e falsifikuar nëpërmjet një personi që quhet Fatmir Shpellzaj. Fatmir Shpellzaj pretendon se të parët e tij kanë qenë banorë të fshatit Baks-Rrjoll. Kjo nuk është e vërtetë dhe e vërtetoj me dokumentacion”, tha Molla.
Banori iu kthye edhe zanafillës më në hollësi duke shpjeguar se në fakt janë 2 fshatra me emrin Rrjoll, një në Velipojë dhe një prej të cilit buron emri i të parit. Si provë për falsifikimin, Molla thotë se në fshat ka qenë një varr i lashtë me shkronja arabe, mbi 400-vjeçar. Kjo pikë është shfrytëzuar nga Shpellzaj për të thënë se janë tokat e të parëve të tij.
“Ky erdhi e shfrytëzoi momentin te një varr që ka mbi 400 vjet. Gjyshja ime më ka thënë që këtë varr e kemi gjetur ne aty, më ka vdekur 97 vjeçe në ’99. E ka gjetur aty gjyshja ime varrin, ka ardhur sistemi i Enver Hoxhës, varr arab, me shkronja arab, një varr i çuditshëm unë në jetën time nuk kam parë, sesi ka qenë historia e tij unë nuk e di. Meqë ky ishte i shkruar arabisht, ky tha është varri i të parëve të mi. Meqenëse ishte thjesht hyrja e tij se ne ishim të fesë katolike dhe nuk mund të thoshte ai që unë jam këtu se jam katolik, por i kujt je këtu se ne të gjithë jemi miq, shokë dhe jemi të gjithë nga një fshat. Ky vjen, gjen mundësinë, shfrytëzon rastin dhe e transferon pronën nga rrethi i Malësisë së Madhe në rrethin Shkodër. Distanca midis dy fshatrave në vijë ajrore mund të jetë 16 km”, tha Molla.
Komente












