TIRANË- Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës e kanë zhvendosur para SPAK protestën kundër ndërtimit të resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Një zëri ata bënë thirrje për drejtësi duke theksuar se SPAK është i vetmi institucion në të cilin kanë besim se do ta zgjidhë këtë çështje, ndërsa hedhin akuza se botuesi pranë familjes Berisha u ka grabitur pronat.
“Duam drejtësi, duam drejtësi, duam drejtësi”, thanë banorët e Rrjollit, të cilët vetëm një vit më parë për këtë çështje kishin depozituar në SPAK një kallëzim për falsifikim të dokumenteve. Por, ky kallëzim i është kaluar për moskompetencë Prokurorisë së Shkodrës, e cila sipas banorëve deri më tani nuk ka kryer asnjë veprim. Sot ata depozituan një tjetër kallëzim shtesë dhe duan që këtë çështje ta marrë në duar SPAK, pasi pretendojnë se një person me emrin Fatmir Shpellzaj përmes falsifikimit ka grabitur pronat e tyre dhe më pas ia ka shitur biznesmenit Ulaj për ndërtimin e resortit me 5 yje.
"Për të njëjtën pronë jemi dy persona, unë e kam që në vitin 1935 dhe Fatmir Shpellzaj vjen në 2019. Ne kemi shtëpia që 200 vjet dhe vjen një nga hiçi dhe thotë unë kam këtu se më ka vdekur i pari para 500 vjetëve. Rrjolli është zonë e mbrojtur. Fshatarët që jetojnë aty, u thonë s’ta legalizoj shtëpinë se e ke zonë të mbrojtur. Aty ku kishin interesin për të ndërtuar resorin luksoz e hoqën nga zona e mbrojtur. Gjyqtari që mori dënimi e merituar atje, më tha që letrat e tua janë fallso. Kurse zotëria pa letra fare i mori 1500 dynym tokë, për 1 vit i shiti, mori lekët dhe për 1 vit nisi ndërtimi”, tha një protestues.
Banorët kërkojnë ekspertim të dokumenteve dhe veprimeve në Kadastër, pasi sipas banorëve të dyja palët kanë certifikatë pronësie dhe akuzojnë se Ulaj përmes Fatmir Shpellzajt kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë marrë certifikatën e pronësisë brenda 1 viti për 1500 dynym tokë ku do të ndërtohet resorti me 5 yje.
"Ne kërkojmë të ndalen punimet, derisa të zgjidhet çështja, ose ata, ose ne", tha një banor tjetër.
Prej vitit 2008, banorët e fshatit Baks Rrjoll, përpiqen të marrin pronësinë e tokave të tyre dhe për këtë janë në proces gjyqësor dhe çështja është ende në Apel. Por ndërsa ata po luftojnë ta marrin pronësinë, të cilën e pretendojnë që prej kohës së mbretit Zog dhe për këtë nxorën para kamerave edhe dokumentet, tokave u doli edhe një tjetër pronar Fatmir Shpellzaj.
“Vepra penal është ndërtimi pa leje nga kompania e cila po vazhdon punimet pa leje, i është kërkuar IKMT ta verifikojë, ky popull ka thënë që nëse është në rregull ne ikim. Nuk paraqiten për të parë dokumentacionin. Grabitja e pronave eksiton, jemi në gjyq civile dhe kemi bërë kallëzim penal. Jemi në pritje të dy verdikteve. Në momentin që ata janë munduar të marrin tokën me forma të ndryshme, ai ka ardhur forcërisht, ka hyrë brenda dhe asnjë institucion nuk vjen”, tha avokati.
“Jemi në pritje të dy verdikteve që ka ligji. Ka ardhur forcërisht, ka hyrë brenda, i kemi njoftuar të gjithë institucion dhe askush nuk vjen. Nuk paraqitet askush për tu përballur me ne”, tha një banor.
Banorët e akuzojnë Bashkim Ulajn edhe se është përpjekur që të bëjë pazar në mënyrë që të shuajë protestat.
“Çfarë frike do kishte shoqëria Aba Blue Borgo që të kërkojë takim me banorët dhe ty ofrojë takime të paligjshme. Çfarë interesi do kishte shoqëria për t’i thirrur dhe për të negociuar për shpërblimin. Këta njerëz vijnë sepse e shohin SPAK si të vetmen shpresë”, tha avokati.
“Bashkim Ulaj kemi shkuar 3 herë, pazari i tij është me qerru njërin sy. Na ka thirr nja 3 herë, na ka thënë bëhuni bashkë, vendosni pazarin, ejani prapë. Ai ka thënë nuk nis punë pa u marr vesh me ju. Ai na ka thënë kështu, ndërsa pas një muaji, në 12 të natës solli fadromat dhe kishte nis punën. U mblodhëm 10-15 vetë dhe policia na tha jemi me urdhër. Avokati i kërkoi projektin, nuk ja dha askush. Kemi dy padi që kemi bërë, i kërkojmë vetëm SPAK, jo të shkojë në Shkodër. Të kishte qenë Shkodra e mirë, kishim nejt atje, ne duam ti marrë SPAK. Sot thonë që ua kemi nis Shkodrës, nuk e dimë kujt ti besojmë. Populli është i revoltuar”, tha një banor.
Banorët e Rrjollit paralajmërojnë protesta të tjera para prokurorisë së Posaçme, ose në të kundër thonë se përshkallëzimi nuk do të ndalet.
“O të bëhet drejtësi o do vdesim këtu", vijoi një banor.
Më 15 janar të këtij viti, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka firmosur lejen e ndërtimit për resortin turistik gjigant në zonën bregdetare, ndërmjet Ranës se Hedhun dhe Velipojës. Kompleksi, sipas projektit do këtë sipërfaqe rreth 146 hektarë, një nga investimet më të mëdha turistike në vend. Por për banorët, kjo leje nuk zhbën realitetin e ashpër pasi toka e tyre është zaptuar nga privati dhe shteti është vënë kundër tyre për të shtypur protestën me dhune.
Më 31 dhjetor 2024, biznesmeni Bashkim Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” nga "Gener 2" “Aba Blue Borgo”, sh.p.k. Ky fshat turistik me vila e hotele luksoze do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi iu bashkua protestës së banorëve të Velipojës para SPAK, të cilët kërkojnë të ndalohet ndërtimi i resortit luksoz të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulajt. Muçi pati rezerva edhe për deputetët e tjerë opozitarë të cilëve u dërgoi një mesazh se sot duhej të ishin në krah të banorëve dhe jo vetëm të kërkojnë dorëheqjen e Belinda Ballukut.
“Ky popull kërkon drejtësi. Po u rrëmbehet prona me firmën e Ramës dhe Ballukut. Çdo kush që në këtë vend e quan veten opozitar dot duhej të ishte këtu dhe në mbështetje të këtyre njerëzve dhe jo vetëm të kërkojnë dorëheqjen e ballukut, kushdo që është opozitar duhet të jetë këtu në mbështetje të këtyre njerëzve. Iniciativa ime si subjekt ‘Lëvizja bashkë’ është të jemi në krah të tyre në çdo hap që do ndërmarrin, por edhe duke nisur kërkesa dhe shkresa për sqarim. Është shkelje e ligjit, po ndërtohet kur s’ka vendim gjykate”, tha Muçi.
Një banorë protestoi mes lotësh kundër resortit luksoz të Bashkim Ulajt në Velipojë.
“Duam drejtësi, vetëm drejtësi. Ju lutem vetëm drejtësi, të na shpëtojnë fëmijë, babë e vëllezër. Vëlali im dje është rrëzuar mes vendit, 40 minuta i është dashur ambulancës të vijë në atë vend. Ju lutem duam vetëm drejtësi, jemi në tokën tonë, në vendin tonë. Ju lutem drejtësi na i lini djemtë, vëllezër e motra kë kemi aty. Kam kenë 20 vjeçe kur më ka thënë gjyshi para se me vdek, mos e shisni tokën, ju lutem drejtësi në këtë vend”, tha ajo.
Komente













Merruni me Fatmir Shpellzen leni trimninat .
Përgjigju