TIRANE- Një biznesmeni në Tiranë i janë grabitur nën kërcënimin e armës shuma prej 40 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur në mesditën e djeshme, ku rreth orës 15:30 në vendin e quajtur Ura e Beshirit, një person i vetëm ka dalë në rrugë i armatosur me “Shotgun” dhe ka ndaluar biznesmenin. Megjithëse ky i fundit nuk ka pranuar të dalë jashtë automjetit të tij ku dhe mbante shumën prej 40 mijë euro, personi i armatosur i ka thyer xhamin dhe më pas ka marrë çantën, në të cilën ndodhej shuma financiare. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, biznesmeni emri i të cilit nuk bëhet i ditur, zotëron një biznes pranë zonës së Urës së Beshirit.

Denoncimi i tij është bërë në komisariatin nr.6 vetëm disa minuta pasi kishte ndodhur ngjarja, ndërkohë që sipas dëshmisë së dhënë para oficerëve, biznesmeni ka treguar se personi i maskuar dhe i armatosur është larguar me vrap në drejtim të pyllit me pisha, duke mos u ndaluar nga askush. Ndërkohë që pikërisht në këtë moment biznesmni fillimisht ka kërkuar ndihmën e punonjësve të biznesit të tij, të cilët nuk ndodheshin shumë larg nga vendi i krimit dhe më pas ka telefonuar dhe policinë. Hetimet e policisë tashmë ngrihen mbi dyshimet se dikush nga punonjësit mund të ketë pasur të dhëna të sakta për transportimin e eurove nga biznesmeni.

Aktualisht hetimet për këtë grabitje janë përqëndruar në disa persona punonjës dhe ish-punonjës të biznesmenit të grabitur. Ndërkohë që në pyetje për të sqaruar rrethanat e këtij krimi, janë marë në pyetje dhejëtare persona, të cilët pasi kanë dhënë deklarime janë lënë sërisht të lirë. Për zbardhjen e kësaj ngjarje policia ka kërkuar dhe ndihmën e prokurororisë, duke vënë në përgjim disa persona si të dyshuar të kësaj ngjarje.

Shkrimi u publikua sot (22.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)