Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke, pasi dyshohet se ishte autor i disa grabitjeve në zonën e Evias veriore dhe Ftiotidës.

Sipas mediave greke, shqiptari, banues në zonën e Istiaias, kishte vjedhur fillimisht një automjet nga oborri i një banese në Edipsos. Me makinën e vjedhur ai kishte udhëtuar drejt Ftiotidës, ku dyshohet se vijoi aktivitetin kriminal.

Një ditë më pas, 44-vjeçari dyshohet se ka hyrë me forcë në banesën e një mësueseje në Nea Anhialos, nga ku ka marrë bizhuteri, orë, një laptop, një tablet dhe sende të tjera me vlerë.

Identifikimi i tij u bë i mundur pasi pronarja e banesës arriti të gjurmonte vendndodhjen e tabletit të vjedhur përmes aplikacionit të lokalizimit. Ajo njoftoi menjëherë policinë, e cila u drejtua në zonën e Glyfës në Ftiotidë.

Efektivët gjetën në automjetin e 44-vjeçarit tabletin dhe sende të tjera të vjedhura. Nga hetimet rezultoi gjithashtu se edhe makina me të cilën ai lëvizte ishte e vjedhur.