Italia dhe Greqia vazhdojnë të jenë zgjedhjet e para të shqiptarëve kur udhëtojnë jashtë vendit. Sipas anketës "Pushime dhe Udhëtime 2025" të INSTAT, Italia përbën 11.3% të të gjitha udhëtimeve jashtë Shqipërisë, ndërsa Greqia 10.4%. Pas tyre renditet Gjermania me 4%, ndërsa një pjesë e udhëtimeve janë drejt vendeve si Turqia, Spanja dhe Mali i Zi.
Brenda vendit, destinacioni më i vizituar është Tirana me 13.7% të udhëtimeve, e ndjekur nga Vlora me 12.2%, ndërsa Korça dhe Durrësi ndajnë të njëjtën peshë me nga 7.3%.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025, shqiptarët mbi 15 vjeç kanë kryer rreth 4.5 milionë udhëtime, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, për arsye personale ose biznesi. Nga këto, 97.6% kanë qenë udhëtime për qëllime personale dhe vetëm 2.4% për biznes.
Për udhëtimet brenda vendit, arsyeja kryesore ka qenë pushimi dhe koha e lirë, që përbën 52.8% të totalit. Ndërsa për udhëtimet jashtë Shqipërisë, arsyeja kryesore kanë qenë vizitat te të afërmit dhe miqtë, me 52%.
Një tjetër tregues që bie në sy është rritja e udhëtimeve jashtë vendit. Krahasuar me vitin 2024, ato janë shtuar me 14.3%.
Shqiptarët po zgjedhin gjithashtu gjithnjë e më shumë të udhëtojnë me avion. Sipas INSTAT, transporti ajror shënoi rritjen më të lartë gjatë vitit 2025, me rreth 14% më shumë se një vit më parë.
Edhe mënyra e akomodimit po ndryshon. Krahasuar me vitin 2024, përdorimi i apartamenteve me qira, si Airbnb, u rrit me 5.9%, ndërsa qëndrimet në hotele u shtuan me 5.6%.
Vera mbetet sezoni me më shumë lëvizje. Gushti përqendroi 12.6% të të gjitha udhëtimeve të vitit, i ndjekur nga qershori me 10.9%, dhjetori me 10.2% dhe korriku me 9.8%.
Mesatarisht, çdo udhëtim zgjati 5.3 netë, ndërsa numri më i madh i netëve të qëndrimit u regjistrua gjatë muajve korrik dhe gusht.
Komente







