VLORË - Mbetet ende pa autor grabitja e një dite më parë të filialit të një banke në qytezën e Orikumit në Vlorë. Për kapjen e autorëve janë vënë në lëvizje që prej ditës së djeshme rreth 50 efektive të Delta Forcë, Forcat Speciale të Fierit dhe helicopterë të cilët po krehin zonën për të rënë në gjurmët e grabitësve.
 
Aksioni ndërkohë ka vijuar edhe gjatë natës duke gdhirë dita e sotme. Deri më tani kanë shoqëruar mbi 25 persona të dyshuar për ngjarjen. Sipas policisë dyshohet se autorët janë banorë të zonës dhe mendohet se fshihen në zona pyjore, ndërsa drejtuesi i mjetit të vjedhur ka dhënë në polici përshkrimet e autorëve.
 
Kërkimet e policisë ndërkohë janë përqënduar ne shtëpitë banoreve të zonës dhe zonat pyjore, ndërsa terreni i vështirë deri tani u ka ardhur në ndihmë grabitësve, të cilët ende janë në arrati.
 
Ndërkohë, roja i bankës Zaim Blushaj është shprehur jashtë kameras se, si ka ndodhur ngjarja e një dite më parë. Sipas tij, autorët pasi parkuan makinën u drejtuan menjëherë nga ai dhe se e kërcënuan me armë në kokë.
 
“U përpoqa të merrja armën por ishin shumë të shpejtë. Më mirë që nuk reagova pasi do ishte bërë një katastrofë e vërtetë. Më goditën më dhunuan dhe më tërhoqën zvarrë brenda, me gjuajtën edhe më qytën e armës. Ishte tmerr. Nuk e harroj atë ngjarje”, është shprehur roja i bankës. Ndërsa gjatë ditës së sotme, banka ka nisur punën normalisht.
 
Grabitja ndodhi ditën e djeshme kur tre persona të maskuar dhe të armatosur vodhën rreth 1.5 milion lekë, ndërsa para se të kryenin aktin e vjedhjes autorët kanë qëlluar në ajër me armë zjarri.
 
Policia dyshon se në grabitje janë përdorur dy automjete, të cilat më pas janë djegur nga autorët. Njëra makinë është gjetur në pyllin e Dukatit, ndërsa tjetra është gjetur në Dukat. Njëra nga makinat, tip Volksvagen me targa TR 3816 T mendohet se është e vjedhur 30 minuta para grabitjes, ndërsa drejtuesi i makinës Arjan Qinami u mbajt peng në bagazhin e automjetit gjatë kohës që është realizuar grabitja.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)