Grabitja e radhës, kujt i 
​mbetet faji “në derë”?

Çdo herë që një bandë grabitësish godet një bankë apo një furgon transportues sendesh me vlerë, të ruajtura këto nga një shoqëri rojesh private, janë rojet private që përfundojnë në qeli.

Kështu ndodhi edhe dje pas grabitjes së dyfishtë, që u krye në rrugën për në Rinas, kur katër grabitës arritën të grabisnin, madje, dy mjete të blinduara. Shoqëria e rojeve private, që transportonte thasë me miliona euro drejt aeroportit të Rinasit, ishte e njejta, që ka qenë protagoniste e shumë grabitjeve të tjera.

Por sërish ata që paguajnë haraçin ishin rojet e saj.
 
Vetëm pak orë më pare, vetë ministri Saimir Tahiri kishte denoncuar publikisht faktin që këta roje paguhen 100-200 euro në muaj, janë të armatosur keq dhe nuk stërviten fare.

Atëhere, faji i kujt është në të vërtetë? Nëse provohen përgjegjësi personale të njerit apo disa rojeve, që kanë organizuar grabitjen në marrëveshje me grabitësit, nuk ka dyshim që ata duhet të arrestohen.

Por, në rast se këta të shkretë përfundojnë në burg vetëm se kanë shmangur kthimin në heronj dhe se kanë zgjedhur të mos rrezikojnë jetën për 200 eurot e pagës që marrin, në këtë rast përgjegjësitë duhen parë tek të tjerë.
 
Përgjegjësia e parë është e shoqërisë private, e cila, jo vetëm që çon drejt masakrës këta roje të paguar keq, për më tepër edhe me uniforma të pista, por mbi të gjitha për atë, se nuk i pajis me masat minimale të sigurisë: një furgon me të vërtetë të blinduar, armë moderne dhe të lehta për t’u përdorur, sisteme të mbrojtjes pasive (si psh gaz apo bojë që njollos banknotat), një sistem efikas alarmi me qendrën dhe, mbi të gjitha, nuk u bën një stërvitje të përshtatshme.

Ndëshkimi duhet të ishte i thjeshtë: t’u hiqet licensa shoqërive të tilla.

Përgjegjësia e dytë, jo më pak e rëndë, është e shtetit, e ministrisë së Brendshme në këtë rast, që duhet të kontrollojë periodikisht nivelin e përgatitjes së këtyre rojeve. Dhe, kur konstaton që nuk respektohen parametrat minimale të sigurisë, shoqërisë i pezullohet licensa.
 
Zgjidhja, pra, duket shumë e thjeshtë; në të kundërt, edhe një herë janë të punësuarit ata që paguajnë, jo pronarët. Edhe për këtë, shteti nuk po arrihet të ndërtohet.    

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen