Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda rrëzoi kërkesën e pesë të arrestuarve të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me grabitjen e Rinasit. Bledar Blloshmi, Fadil Jonuzaj, Vangjel Nikolla dhe Kujtim Picari, si dhe Arben Karafili, punonjës të kompanisë së sigurisë ICTS-së si dhe punonjës të drejtorisë operacionale në aeroportit të Rinasit, akuzohen për shpërdorim detyre.

Kjo pasi në ata dyshohet se nuk kanë marrë masat e sigurisë që mund të kishin sjellë edhe parandalimin e grabitjes së ndodhur me 30 qershor të këtij viti në Rinas, kur në pistën e aeroportit u sulmua një mjet i transportit të vlerave monetare. Persona të armatosur arritën të merrnin nga mjeti i blinduar një sasi prej 995 mijë eurosh dhe më pas u larguan.

Më parë Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, kishte pezulluar masën e sigurisë së dhënë nga shkalla e parë, për faktin se gjykimi i veprës penale të mësipërme nuk ishte kompetencë e kësaj gjykate. Në këtë mënyrë mbetet në fuqi vendimi i gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë.

Sipas këtij Sipas këtij vendimi Bledar Blloshmi, Fadil Jonuzaj, Kujtim Picari, si dhe Arben Karafili, do të hetohen në masën e sigurisë arrest me burg. Ndërkaq Vangjel Nikolla do të hetohet në masën e sigurisë arrest shtepie. Avokati i Vangjel Nikollës, Vladimir Meçi, tha se vendimi është në kundërshtim me normat juridike, ndërsa tha se do të ndërrmerte hapa të tjerë ligjorë. 

"Vendimi shkon përtej absurdit, prokuroritë dhe gjykatat e niveleve të ndryshme po luajnë ping- pong me jetën e këtyre njerëzve të pafajshëm. Xhonglizëm në kalimin e akteve nga njëra gjykatë në tjetrën, ndërsa do ishte më mirë që kjo energji të përqendrohej në zbulimin e autorëve të vërtetë.

Thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe Komitetit të Helsinkit ta monitorojnë këtë proces, pasi janë 4 persona në burg në mënyrë të padrejtë, pasi sot nuk kemi asnjë vendim që t'i mbajë ata në masë siguri"deklaroi ai. 

d.b/shqiptarja.com