Mëngjesi i së hënës shkaktoi frikë në superstradën që lidh Brindisin me Leccen në Itali, kur persona të armatosur sulmuan një furgon të blinduar që transporton para dhe sende me vlerë, duke përdorur eksplozivë dhe shkëmbyer zjarr me karabinierët në rrugë.

Pamje nga vendngjarja

Sulmi nisi me djegien e një mjeti të rëndë, i vendosur për të bllokuar të dyja karrexhatat dhe për të izoluar zonën. Flakët përfshinë kamionin, ndërsa një re e dendur tymi i zi u pa nga kilometra larg. Në pamjet e xhiruara nga shoferët italianë, shihen të paktën gjashtë persona, të veshur me tuta bardh e zi dhe me fytyrat e mbuluara.

Sipas raportimeve të Corriere della Sera, në veprim ishin të paktën katër persona të armatosur me kallashnikovë, të cilët hapën zjarr ndaj dy mjeteve të blinduara të institutit të sigurisë Battistolli. Pasi rojet u detyruan të zbrisnin, të dy mjetet u hodhën në erë.

Gjatë arratisjes, grabitësit u përfshinë në shkëmbim zjarri me karabinierët në zonën e Squinzanos.

Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, forcat e rendit dhe shërbimi i urgjencës

Policia nisi menjëherë një operacion të gjerë kërkimi në zonë. Pak më vonë, një Alfa Romeo e përdorur gjatë grabitjes u gjet e braktisur në një rrugë rurale.

Pranë saj u arrestua një burrë i veshur me kapuç, i paarmatosur. Një person i dytë, gjithashtu me kapuç, u arrestua më pas teksa tentonte të largohej në këmbë. Në afërsi u gjet edhe një makinë tip xhip, që dyshohet se ishte planifikuar për arratisjen e grabitësve.

Autoritetet sipas SkyTG24 dyshojnë se grupi kriminal mund të ketë qenë më i madh se katër persona. Kërkimet për të paktën dy grabitës të tjerë vijojnë.

Furgoni transportues

Grabitja nuk është realizuar. Nuk ka të plagosur, por hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë pjesëtarët e komandës dhe për të sqaruar rolet e secilit në sulmin e organizuar.

Ngjarja rikthen në vëmendje një episod të ngjashëm të ndodhur në korrik 2024, në të njëjtën rrugë  vetëm pak kilometra larg.  Në atë rast, grabitja përfundoi me një shumë që i afrohej tre milionë eurove.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?