TIRANE - Sipas statistikave të Shoqatës Shqiptare të Bankave, gjatë viteve të fundit në vendin tonë kanë ndodhur 35 vjedhje të bankave tregtare, nga të cilat 7 kanë mbetur në tentativë. Rasti më i rëndë me pasojë edhe në humbje jetë ka qënë ai i grabitjeve nga Viktor Gushi.

Ekspertët e sigurisë së bankave dhe ato të policisë së shtetit kërkuan dje nga bankat tregtare rritjen e standardeve të zbatimit të rregulloreve për një mbikqyrje të rreptë. Në një takim të përfaqësuesve të bankave dhe ekspertëve të sigurisë është theksuar se krimi i vjedhjes së bankave ka evoluuar.

Grabitësit kanë sofistikuar format e vjedhjes dhe përballë kësaj, bankat tregtare, kërkojnë rritjen në nivele të larta të sigurisë private, ashtu si vendet e BE-së.

"Organizimi i hyrjeve në objektet bankare duhet të konsiderohet një faktor i rëndësishëm; minimizimi i vlerave monetare në sportele dhe respektimi i limiteve të përcaktuara ndikon në uljen e vjedhjeve në banka", tha Bajram Ibraj, ish-drejtor i Policisë së Shtetit dhe aktualisht ekspert sigurie në bankë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)