VLORE-Hynin në banka, kazino, karburante e ku të donin. Me armë e maska grabisin pa pikën e mëshirës, duke terrorizuar dhjetra njerëz. Ndërsa në gusht të vitit 2012 u arrestuan, shumë shpejt pritet të dalin në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u përballur me akuzat dhe dëshmitarët.

Bëhet fjalë për Nardi Idrizi, Joni Idrizi, Armando Likaj, Marjo Metaj, Mili Veliko si dhe Eljaz Hasaj, të konsideruar si tmerri i Vlorës, bandë kjo e shpartalluar nga policia në gusht të vitit 2012. Burime të besueshme pranë organit të akuzës thane, tregojnë se pritet të nisë gjykimi. Dosja ka mbërritur në gjykatë, të cilët sot Shqiptarja.com e zbardh të plotë

GRABITJA 1
Më dt 23.08.2012 rreth orës 03:25 nga ana e policisë së Vlorës është marrë njoftim se dy persona të armatosur kanë vjedhur pikën e karburantit ALPET në rrugën Transballkanike. Policia i është afruar karburantit, ku një person i armatosur i cili rezulton të ketë qenë njëri prej grabitësve të karburant ALPET ka qëlluar me armë drejt forcave të policisë duke tentuar t’i vrasë dy punonjësit e policisë që ndodheshin në autoveturë duke u rrezikuar jetën. Plumbat kanë përshkruar xhamin e parë të automjetit POLICIA sipër tek koka e shoferit si dhe kanë dëmtuar derën e parë dhe të pasme të krahut të djathtë të pasagjerit. Pas këtij veprimi autorët që kanë kryer grabitjen si dhe kanë qëlluar drejt forcave policore janë larguar në drejtim të lagjes “Pavarësia” të qytetit të Vlorës duke shfrytëzuar rrugicat ku kanë kaluar para portës së Sigurimeve Shoqërore. Në bashkëpunim me shtetasin Marjo METAJ, ata kanë marrë nën kërcënimin e armës paratë e xhiros së këtij karburanti në një shumë rreth 35000 lekë të reja dhe më pas janë larguar në drejtime të ndryshme. Marjo Metaj është larguar nga krahu i djathtë i karburantit, Nardi Idrizi i cili kishte dhe armën në dorë, është larguar nga krahu i majtë i karburantit. Kur ka dalë tek cepi i murit sapo lë porten e karburantit, Nardi Idrizi ka parë të afrohet drejt karburantit autovetura e Policisë e cila ka qenë me drita të fikura dhe pa fenelinë policie të ndezur. Menjëherë Nardi Idrizi ka hapur zjarr drejt saj duke rrezikuar seriozisht jeten e dy efektivave te policisë që gjendeshin brenda autoveturës.

GRABITJA NR 2
Më dt 23.08.2012 në orën 00:30 është marrë njoftim se në lagjen “Partizani” është vjedhur me dhunë karburant “Kastrati” në lagjen “Partizani” nga dy persona dhe njëkohësisht janë dhunuar punonjësit I.Rr. dhe J.Ll. Sipas punonjësit I.Rr. persona të maskuar i kanë marrë atij një shumë prej 20 mijë lekësh të reja që ishte xhiroja e pasdites. Është provuar gjatë hetimit se Marjo Metaj, Mili Veliko dhe Joni (Fatjon)Idrizi janë takuar dhe kanë vendosur të vidhnin karburantin, pasi u duheshin para për të ikur në Greqi. Metaj ka gjetur armën e krimit, Veliko ka gjetur veshjet, Joni Idrizi ka patur si detyrë të transportonte me motorr dy autorët në vendngjarje dhe të kontrollojë sa persona kishte brenda. Pas njoftimit që ka dhënë Joni Idrizi, dy të pandehurit kanë sulmuar karburantin duke marrë prej tij paratë e xhiros dhe duke u larguar pa vënë në përdorim armën që kanë patur me vete.

KARBURANTI I TRETI

Më dt 21.03.2012 rreth orës 22:30, nga ana e policisë është marrë njoftim se në lagjen “Isa Boletini” në vendin që njihet “Bishti i Kalldrëmit” është vjedhur me armë karburant “Elda”. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është gjetur një fishek i pa plasur, i goditur në kapsollen e tij. Është pyetur shitësi R.Sh. i cili ka deklaruar se është vjedhur me armë nga dy persona të moshes së re me origjinë dhe gjuhë të folur nga Vlora, të cilët kanë kërcënuar me armë për t’u dhënë atyre paratë e xhiros ditore. Në deklarimin e dhënë nga i dëmtuari thuhet se nga akti kriminal i vjedhjes me armë atë natë atij i është vjedhur me armë shuma prej 1.200.000 lekësh të vjetra, të cilat kanë qenë paratë e xhiros gjate 24 orëve. U konkludua se autorë të ngjarjes ishin Marjo Metaj dhe një lidhje e tij shoqërore me emrin Amarildo, person i cili nuk është arritur të zbulohet nga organi procedues.

GRABITJA 4

Hetimet e këtij procedimi kanë provuar se me dt.11.05.2012 rreth orës 03:30 nga ana e policisë është marrë njoftim se në lagjen “Pavarësia” është vjedhur me armë nga tre persona të maskuar me maska dhe doreza dhe të armatosur me armë automatike një pikë lojrash fati, konkretisht kazino “Flamingo”. Hetimet kanë provuar se pasi kanë tentuar të hyjnë me forcë në pikën e lojërave të fatit duke hasur në kundershtimin e punonjësve të kazinosë, njëri prej agresorëve ka qëlluar me armë portën e jashtme të kazinosë duke e thyer atë dhe menjëherë ka bërë të mundur hyrjen në kazino së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij. Pasi kanë hyrë në kazino të tre autorët, personi i armatosur që ka qelluar portën e jashtme të kazinosë, ka hapur zjarr dhe brenda në kazino me qëllim që të detyronte punonjësit e kazinosë t’i jepte paratë që ndodheshin në kazino. Të maskuar pjesërisht Nardi Idrizi, Marjo Metaj dhe Armando Likaj kanë vjedhur nën kërcënimin e armës një shumë prej 1.3 milionë lekë të vjetra, para të cilat janë gjetur në kazino si para të bera nga turni i natës. Vlen për t’u theksuar se aktiviteti kriminal i kryer prej tre të pandehurve si jashtë ashtu dhe brenda në kazino është monitoruar i gjithi nga kamerat e sigurisë.

GRABITJA NR 5
Me dt. 17.06.2012 rreth orës 01:00 nga ana e policisë është marrë njoftim se në lagjen “Isa Boletini” është grabitur me armë karburant “Elda” në vendin e njohur “Bishti i Kalldrëmit”. Hetimi ka provuar se ky karburant ishte vjedhur dhe në dt 21.03.2012. Dy persona të armatosur me armë pistoletë, të maskuar dhe me doreza kanë shkuar tek karburanti në lagjen Isa Boletini dhe nën kërcënimin e armës duke mos e vënë atë në përdorim, i kanë marrë punonjësit të karburantit me inicialet Z.A. shumën prej 467.000 lekë të vjetra dhe telefonin e tij celular. Nga hetimi është provuar se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gjurmë arme, qoftë gezhoja plumbash apo predhash. Hetimet kanë provuar veçanërisht pas pyetjes së dëshmitarëve Z.A. I.F. dhe E.LL. se kjo ngjarje ka si autorë dy shtetas të maskuar dhe të armatosur në të njëjtën mënyrë si në ngjarjen e dt 21.03.2012. Pas arrestimit të shtetasit Marjo Metaj dhe pas intervistimit të tij është provuar se autorë të kesaj ngjarje kanë qenë shtetasit Marjo Metaj dhe bashkëpunëtori i tij AMARILDO. Hetimi ka provuar gjithashtu se i njëjti karburant është vjedhur në dy raste nga të njëjtët persona si në rastin e dt 21.03.2012 ashtu dhe me dt 17.06.2012.

GRABITJA NR 6

Më dt 01.07.2012 rreth orës 03:45 nga ana e policisë është marrë njoftim se në lagjen “Isa Boletini” është vjedhur me dhunë karburanti “Flabens Oil”. Rezultoi se dy persona të maskuar dhe me pistoletë kanë vjedhur me dhunë punonjësin pa vënë në përdorim armën, karburantin “FLOBERS OIL”. Dy personat e maskuar pasi janë afruar ambienteve të karburantit nën kërcënimin e një pistolete i kanë vjedhur punonjësit me iniciale A.T., shumën prej 30 mijë lekësh si dhe telefonin e tij cellular. Ngjarja ka ndodhur në një hark kohor rreth 3 minuta dhe pasi kanë vjedhur paratë e xhiros i kanë marrë punëtorit telefonin e tij celular me qëllim që të mos komunikonte me asnjë person tjetër për t’i ardhur në ndihmë. I pandehuri Armand Likaj ka deklaruar se këtë vjedhje e ka kryer me shokun e tij të klasës, Eljaz Hasaj, i cili është I vemti person I paarestuar dhe që është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga dt 25.08.2012.

(sg/shqiptarja.com)