FIER- Ekspozita “Aether” e artisteve fierake, Arben Koliçi dhe Eduart Meço sjell per publikun dy qasje të veçanta krijuese, grafiken dhe skulpturen por të bashkuara në kërkimin e thelbit dhe reflektimit përtej dukjes.

Në veprat e Arben Koliçit spikat një univers grafik i ndërtuar mbi disiplinën formale, simbolikën arkitekturore dhe elementët metafizikë. I fokusuar në grafikë dhe kërkime bashkëkohore, ai ndërthur teknikën tradicionale me qasje konceptuale, duke sjellë kompozime që eksplorojnë raportin mes hapësirës, dritës dhe perceptimit.

Ndërsa Eduart Meço prezantohet përmes një praktike artistike të orientuar drejt skulpturës dhe kërkimit figurativ-konceptual. Të frymëzuara nga instrumentet muzikore të Myzeqesë , format e tyre çlirohen nga funksioni dhe kthehen në subiekte abstrakte.

Të dy artistët e kane kthyer krijimtarinë e tyre në një urë komunikimi mes qytetit, artit dhe dimensioneve bashkëkohore të shprehjes vizuale.

Ekspozita u mirëprit nga artdashës, artistë dhe qytetarë fierakë, duke e kthyer Galerinë e Arteve në një hapësirë reflektimi dhe komunikimi artistik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të mirëpritur artdashësit fierakë për 14 ditë.