Grafite antishqiptare në Bujanovc, Kamberi letë ambasadave në Serbi: Po nxitet dhuna ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Grafite antishqiptare në Bujanovc, Kamberi letë ambasadave në Serbi: Po nxitet dhuna ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar për grafitet antishqiptare që janë shfaqur së fundmi në Bujanoc.

Përmes një letre të gjatë dërguar në ambasadën e SHBA-ve, Misionin e OSBE-së dhe ambasadën Britanike, Kamberi shkruan se me grafitet antishqiptare po nxitet dhuna ndaj shqiptarëve dhe se një shqetësim madhor mbetet pasivizimi i adresave të shqiptarëve.

“Rritja e ndjenjës anti-shqiptare dhe diskursi përjashtues i promovuar nga disa zyrtarë qeveritarë kërcënojnë ekuilibrin delikat të multietnicitetit në Luginën e Preshevës. Multietniciteti duhet të përfaqësojë barazi, drejtësi dhe respekt për të gjitha komunitetet, dhe jo margjinalizimin dhe shtypjen e popullsisë shqiptare e privilegje për tjetrën. Në dritën e këtyre zhvillimeve, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme: Të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobisë: Dënoni publikisht gjuhën e urrejtjes dhe retorikën ksenofobike që po përhapet në Luginën e Preshevës”, shkruan Kamberi në rrjetin e tij social në Facebook.

Letra e dërguar në Ambasadën e SHBA, Misionin e OSBE, Ambasadën Britanike:

Ju drejtohem në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Serbisë, i shqetësuar për rritjen alarmante të ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Bujanoc. Kjo armiqësi në rritje, e dëshmuar nga grafitet që nxisin hapur dhunën me mesazhe si “Vritni Shqiptarët,” po kontribuon në një atmosferë gjithnjë e më toksike në rajon.

Këto zhvillime alarmante nuk janë të kufizuara në incidente të izoluara, por po përsëriten nga zyrtarë dhe institucione qeveritare të cilët duhet t’i mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve. Veçanërisht shqetësues është roli i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

I themeluar për të promovuar dialogun, integrimin dhe barazinë, ky institucion tanimëpo lëviz në një drejtim që bie ndesh me misionin e vet themelues. Deklaratat e fundit nga Drejtori i Shërbimit të Trupit Koordinues, Nenad Mitrović, i kanë thelluar më tej këto shqetësime. Retorika e tij fyese e përçarëse, e cila jo vetëm që diskriminon Bujanocin në krahasim me Preshevën, por gjithashtu reflekton një qëndrim përjashtues më të gjerë, është jashtëzakonisht shqetësuese.

Gjithashtu shqetësuese është intensifikimi i pasivizimit të adresave, një proces që po përdoret gjithnjë e më shumë si një mjet diskriminimi kundër komunitetit shqiptar. Kjo praktikë ka për qëllim të çregjistrojë sistematikisht anëtarët e popullsisë shqiptare duke anuluar statusin e tyre zyrtar të rezidencës e që po ndikon në shpoppullimin e saj nga shqiptarët. Veprime të tilla jo vetëm që shkelin të drejtat themelore të njeriut, por gjithashtu minojnë parimet e barazisë dhe drejtësisë që duhet të jenë themeli i një shoqërie multietnike.

Rritja e ndjenjës anti-shqiptare dhe diskursi përjashtues i promovuar nga disa zyrtarë qeveritarë kërcënojnë ekuilibrin delikat të multietnicitetit në Luginën e Preshevës.

Multietniciteti duhet të përfaqësojë barazi, drejtësi dhe respekt për të gjitha komunitetet, dhe jo margjinalizimin dhe shtypjen e popullsisë shqiptare e privilegje për tjetrën.

Në dritën e këtyre zhvillimeve, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme: Të dënojë gjuhën e urrejtjes dhe ksenofobisë: Dënoni publikisht gjuhën e urrejtjes dhe retorikën ksenofobike që po përhapet në Luginën e Preshevës.

Të kërkoni Përgjegjësi: ndikoni në qeverinë serbe që të mbajë përgjegjës ata që nxisin urrejtje dhe dhunë kundër komunitetit shqiptar. Promovimi i Dialogut dhe Integrimit: Avokoni për rikthimin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në misionin e tij origjinal për të nxitur dialogun dhe për të promovuar integrimin e vërtetë të komunitetit shqiptar. Kjo përfshin rikthimin në zbatimin e “Planit me Shtatë Pikësh” siç është parashikuar në “Planin për Integrimin e pjesëtarëve të Pakicës Kombëtare Shqiptare në Sektorin Publik dhe Organet Shtetërore në Nivel Lokal, për periudhën 2023 – 2026.”

Të monitoroni dhe Raportoni: Ngritne monitorimin dhe raportimin ndërkombëtar mbi situatën e të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës, me vëmendje të veçantë ndaj intensifikimit të pasivizimit të adresave.

Situata aktuale në Luginën e Preshevës paraqet një test të rëndësishëm për angazhimin e Serbisë në ruajtjen e parimeve të multietnicitetit, demokracisë, brazisë dhe të drejtave të njeriut e të drejtave të pakicave. Ftoj komunitetin ndërkombëtar që të reagojë me urgjencë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin, barazinë e demokracinë për komunitetit shqiptar në Luginë të Preshevës”, shkruan Kamberi.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Diplomacia, a ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare?



×

Lajmi i fundit

Greqi/ Vajza 2 -vjeç e gjysmë u largua e vetme nga çerdhja! Arrestohet edukatorja 26-vjeçare

Greqi/ Vajza 2 -vjeç e gjysmë u largua e vetme nga çerdhja! Arrestohet edukatorja 26-vjeçare