Një gjë të tillë e ka pohuar dje ekskluzivisht për 'Shqiptarja.com" vetë Grasso.
Ai deklaroi se, pas kërkesës së përsëritur nga ana e kreut shqiptar të Ekzekutivit, Edi Rama, ai ka vendosur të sensibilizojë qeverinë e Romës për të hequr një takës të posaçme, që aplikohet tani nga Italia vetëm për kamionë që vijnë nga vende si Irani, Siria dhe Gambia. Nga këto vende transporti i mallrave me kamiona të tyre është jashtëzakonisht i rrallë, ndërkohë që lëvizja e kamionëve shqiptarë sa vjen e shtohet dhe një gjë e tillë vetëm se rrit koston e transportit. Një gjë të tillë e ndjejnë veçanërisht fasonistët, ngë të dy anët e Adriatikut, të cilët janë të detyruar të paguajnë një kosto shtesë për lëvizjen e mallrave si lëndë e parë dhe si material i përfunduar, konkretisht në industrinë e këpucëve dhe rrobave të gatshme, ku Italia dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht intensiv dhe në rritje të vazhdueshme.
Ndërhyrja e kreut të Senatit mund të jetë vendimtare në këtë drejtim dhe Grasso për domosdoshmërinë e eliminimit të një takse të tillë është ndërgjegjësuar këto ditë në Tiranë, gjatë takimeve dhe bisedave me zyrtarë dhe biznesmenë, shqiptarë e italianë.
Rama
Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ishte shprehur se “kemi një problem, sepse është një problem i vjetër, që ne kemi me Italinë, që daton në vitin 1958. Unë e fola edhe me Presidentin e Senatit, e kemi folur edhe me Kryeministrin edhe Presidentin, fjala është për të ashtuquajturin “Diritto Fisso”. Asaj taksës diskriminuese për Shqipërinë, që është mbartur vit pas viti, dekadë pas dekade, nga regjimi i kaluar tek shpatullat e të gjitha qeverive demokratike në Shqipëri e Itali dhe sot e gjithë ditën qëndron aty.
Si një pengesë shumë e madhe për të gjithë investitorët shqiptarë apo italianë apo italo-shqiptarë, që transportojnë mall në Itali, që duhet të paguajnë një taksë 4 - 5 herë më të lartë se të gjithë transportuesit e tjerë në rajon apo në Evropë. Një taksë, që e paguajnë, përveç nesh, Irani, Siria dhe Gambia. Një gjë e mbetur nga burokracia, që besoj që do t’a zgjidhim, por problemet e mbetura nga burokracia nga ana jonë ka plot dhe për këtë arsye ne kemi ngritur disa struktura”. Kryeministri deklaroi kështu ditën e parë të Javës Italiane në Tiranë, në prani të kreut të Senatit të atij vendi, Pietro Grasso.
Kërkesa
Nga pala shqiptare, kërkesa për heqjen e kësaj takse është bërë në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkohë që Shqipëria po plotëson një nga një të gjitha “detyrat e shtëpisë” për të avancuar drejt Bashkimit Evropian, qeveritë italiane kanë mbajtur në fuqi një klauzolë të vitit 1959, kur ende vendi ynë bënte pjesë në pjesën e kontinentit përtej “perdes së hekurt”. Qendrimi në fuqi vetëm për Shqipërinë praktikisht përfaqëson një plagë të burokracisë italiane, që kryeparlamentari Pietro Grasso merr përsipër tani që të ndikojë ta zgjidhë përfundimisht.
Shkrimi u publikua sot, 7 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)