Gratë pikturojnë puthjen

Gratë pikturojnë puthjen
 Suplementi "Rilindasi" publikon një Cikël poetik nga Ndue Dedaj

NË PROVINCË
 
Në provincë përditë bien tupanat...
 
Në provincë të gjithë shesin kikirikë,
Në provincë të gjithë gjuajnë politikë,
Në provincë fjalimet i mbajnë të gjata,
Në provincë makinat i ngasin burrat,
Në provincë shkallët i lajnë gratë,
Në provincë të gjithë shkruajnë libra,
Në provincë të gjithë i bëjnë të gjitha.
Në provincë bëhesh hero dhe padashur,
Në provincë rakia pihet me barut,
Në provincë sporti i të gjithëve - xhirot,
Në provincë plugu i ditës - thashethemet,
Në provincë gratë janë të ndershme,
Në provincë dashuritë janë të zjarrta.
 
Në provincë bie lahuta bridashe...
 
14 qershor 2010. 
 
KËNGËT E SOLOMONIT
 
Lutu pa qenë Solomon…
Lutu për dashurinë pa fron.
 
Lutu për dashurinë që vashat molis,
Lutu për lulet e vjeshtës nën murriz.
 
Lutjet e mëngjesit janë lutjet e engjëjve
Lindin në tokë, prarojnë qiejve.
 
Lutjet e mesditës janë lutjet e prillit
Për të gjitha javët dhe ditët.
 
Lutjet e mbrëmjes janë lutjet e pleqve
Për dashurinë e botës nga e para.
 
Lutu për dashurinë pa qenë mbret
Dehur nga mushti i erosit si në përralla.
 
Lutu pa qenë Solomon…
Lutu për dashurinë pa fron.
 
 
GRATË PIKTUROJNË PUTHJEN
 
Çdo mëngjes me një penel të lehtë
Lyejnë buzët me të kuq,
Pikturojnë puthjen
Që shpesh e marrin e rrallë e japin.
 
Maj 2012
 
 
LUTJE E BURRAVE PËR GRATË

                        (Virgjinia Vulfit)
 
Ji e dëgjueshme në çdo gjë, ji e përulur.
Ji femër, fal vetëm kënaqësi e dashuri.
Artin e të qenurit femër - femërisht përdore,
Për burrin tënd! Për të gjithë burrat!
Mos u trishto nëse fjala s’të vjen,
Fjalë s’thua e për vete dot s’lutesh,
Lutem unë burri yt sovran për ty.
E dashur, ji e përbetuar, e papërlyer!
Ji Shën Mëri!
 
 
STOLI I VJETËR
 

Kam frikë kur ai stol të mos jetë...
Stoli para pallatit me tulla të bardha.
Ulet përditë nëna ime me të vjetrat e lagjes,
Gra më të moshuara se qyteti.
 
Vajzat vogëloshe luajnë rrasa-vijë
Pa dashur t’ia dinë për trillet e moshës,
Pa ngrihen gjyshet si në kërcimet motit,
Luajnë fëmijërisht dhe ato…
 
Lulet në kodrinë kanë çelur
Lulet e pjeshkës, lulet e mollës, lule të bardha...
Ah!... Shkojnë dorën nëpër flokë,
Ishin dikur edhe ato vasha!
 
Vajzat me të nesërmen shkrihen në paqe
Te ajo rrugicë, te ai stol nën diell!
Stoli para pallatit me tulla të bardha.
Kam frikë kur ai stol të mos jetë...
 
 
MALL PËR BJESHKËT
 

M.
 
Dimër pa zogj, pa fjalë!
Druaj të nisëm për atje kah bujtina e kujtimeve
Prej tingujsh të ngrirë, të qelqtë; të vete deri në Suçel.
Laku i Kuq. Ura Ndredi. Përroi m’Gjarpen, Kodra Tetë...
Tash janë veç stacione të erës. Shuar hapat, gjurmët!
Asgjë prej së djeshmes, prej vetes.
Bjeshka ime, ku je?
 
Eci me Marien tërmales pa trajtë,
Ka kohë që nuk ka shkelur këtu,
Nuk ka mundur, nuk i kanë bërë këmbët,
Në skaj të oborrit nuk ka patur se kush ta presë...
Vetëm muzika e verbër e përroit që zbret.
 
Dimër pa fjalë, pa zogj!
Muza e bjeshkës, vdarë mjegullave ikanake...
Nuk ka më poezi të pishave, aheve, palmave.
Unë sillem pas pengut të kujtimeve si hije!
I desha me shpirt njerëzit e shtëpisë nën bjeshkë.
I shoh... si nuk janë?! Dhe dridhem nga koha...
E pabesë.
 
Eeeej…
A i keni ndie sonte lajmet?
Ka lindur dhe ka vdekur një filiz bjeshke.
Ajkuna ka qenë aty dhe ka qarë me sytë e saj...
Ka qarë Maria me gurin e brengës në gji,
Vajtojcat e kullave të epra kanë qarë.
Aiii...
 
Shkurt 2010
 
 
QYTETI I XHIROS SË VET
 

Qyteti ynë i vogël xhiron e ka të madhe,
shëtitjet mondane të mbrëmjeve,
mbrëmjet e shëtitjeve mondane.
 
Humbet ai në xhiron e vet
si në një vals dashurie!
 
Çdo qytet ka orën e tij - kullën e sahatit.
Qyteti ynë për orë ka xhiron!
Pulson tik-tak-u i saj
si një shpirt i bardhë.
 
Nxiton qyteti ynë të bëhet plak,
Njëqind, një mijë vjeç
duke ua kaluar pleqve të kërrusur lehtë,
duke ua kaluar drurëve të blertë.
 
Unë xhiron asnjëherë nuk ia prish
qytetit tim krenar,
ani se s’jam praktikant i saj!...
 
I vogli qyteti ynë, me xhiro të madhe.
 
 
SHTËPIA E KUJTIMEVE
 

Shtëpia ime nën lisa,
Përkundruell detit, përskaj bjeshkës
Përkundet
Pranverash,
Vjeshtash
Herë si djep lulesh, herë si djep shirash.
 
Shtëpia ime kreshtë erërash,
Stacion metereologjik
Mjegullash.
Brezash…
 
Ngulur në heshtjen e vet
Si një anije që nuk ka më një liman.
Tash për tash ua kam falur
Kujtimeve.
 
 
FARËHEDHËSI
 

Tani që askush nuk mbjell më farë
E bujqit janë raca e fundit në zhdukje,
Tani që fushave nuk mbin as misër as grurë
Por vetëm mure, murana pa fund
Tani që toka nuk ka më vlagë,
E të gjithë korrin cannabis sativa
Ndezin për mbarësi ashkat e buzmit bujar,
Tani që rituali i pjellorisë së tokës
Këndohet vetëm në përgamenat e vjetra,
Tani u kujtova për ty, Farëhedhës,
Monumentin tënd të kokrrës së farës,
Bekuar qofsh, o njeri në arën e gjyshit në shkrep!
Ngjallu në mundsh, kalo njëherë këndej,
Sa të puth duart tua të rreshkura në zheg
Lart ta valëvis këmishën tënde të shqyer!
S’e dua botën - mbytur në baltën e vesit,
Baltëbota kalb farën pa e futur në dhé
Kalb kohën e vjetër e kohën e re….
Ardhtë mbretëria jote!
 
KRITIKAT PER POEZINE E DEDAJT

...NJË GENOMË E PASTËR POETIKE
E kam ndjekur krijimtarinë e Ndue Dedajt varg për varg, rresht për rresht e jo libër për libër... Kemi të bëjmë me një genomë të vërtetë poetike, është një genomë e pastër, është poezi esull, tepër esull. Në të nuk ka asnjë fije barishte poetike.
NDOC GJETJA
 
***
 
…POEZI E NJË POETI TË VEÇANTË
 
“Poezia e Ndue Dedajt është mbrujtur me atë maja shpirti që bën thirrje për dashurinë ndaj njerëzve të tokës sonë. Kjo është dhe kredoja më e zgjedhur e tij dhe unë besoj se në botën e tij shpirtërore kjo kredo nuk është pozë, por një ndjenjë e vërtetë, e marrë qysh atëherë, kur fryma mbase i qëndroi mbi supe si një pëllumb i bardhë dhe uji i lagu shpatullat... Kjo është poezia e këtij poeti të veçantë që derdh vargjet e tij plot njomëzi, me një gjuhë të bukur e fjalë të zgjedhur...”
DHORI QIRIAZI
 
 

Suplementi Rilindasi 11 gusht 2013
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri