Ngjarja e rëndë që ka ndodhur në Patra të Greqisë, ku nëna akuzohet se ka vrarë tre fëmijët e saj të mitur vijon të tërheqë vëmendjen e publikut ndërsa nuk kanë përfunduar ende hetimet. Ajo është në paraburgim dhe po tenton të mohojë vrasjen.
Hetimi është hapur edhe për dy vajzat e tjera, Malena dhe Irisi, jo vetëm për 9-vjeçaren Georgina që ndërroi jetë në spital. Por Roula Pispirigou këmbëngul se është e pafajshme. Ajo kërkon një analizë për të zbuluar nëse ka një ‘fajtor’ që lidhet me vdekjen e fëmijëve të saj, që duket si përpjekje për të larguar akuzat nga vetja.
Teksa është në pritje të përgjigjes së kërkesës për lirim nga burgu, Roula Pispirigou do të ketë takim me avokatët e saj të premten. Ajo pretendon se analiza gjenetike që kërkon nuk ishte bërë më parë sepse ajo dhe babai i fëmijëve, Manos Daskalakis, duhet të paguanin shumën prej 700 eurosh, por aso kohe nuk i kishin aq para.
Gabimet që bëri disa orë para se Georgina të vdiste
Roula kërkonte me këmbëngulje që të bëhej autopsia e vajzës së saj me shpresën se nuk do të zbulohej që kishte përdorur ketaminë. Mediat greke raportojnë se para se Gerogina të vdiste, nëna vëzhgonte çdo lëvizje të mjekëve brenda spitalit. Ajo arriti të mësojë çdo ilaç që merrte e bija dhe dozën që i jepnin mjekët.
Pasi nisën dyshimet e mjekëve për gjendjen e Georginës, Roula vendosi të përfundojë planin e saj për të vrarë të bijën më 29 janar. Ndërkohë, ka të dhëna që vërtetojnë se Roula ka kërkuar në internet për ketaminë që më 11 janar. Ajo këmbënguli ta shtronte vajzën në spital dhe sipas autoriteteve, mbante ilacin me vete dhe priste momentin e duhur për t’ia dhënë.
Roula Pispirigou ishte indiferente ndaj ilaçeve të tjera që merrte Georgina, por dyshohet se e zuri paniku ditën e fundit kur zbuloi se mjekët i kishin dhënë fenobarbital.