PATRA - “Nuk e di se çfarë kam bërë, por kam parë veten me thikë në dorë dhe duar të gjakosura”. Kjo është dëshmia që ka dhënë në Gjykatën e Patras, shqiptari Arti Janca, i cili është akuzuar për vrasjen e 43-vjeçares greke, Natalia Voutsina. Nga hetimet është mësuar se, policia nuk e përjashton faktin se, shqiptari ka qenë i dashuruar me viktimën e tij.
 
Rrëfimin 33-vjeçari shqiptar, e ka bërë mesditën e djeshme në gjykatë, kur është shoqëruar me një eskortë policore të hekurt, për shkak të ndonjë incidenti që mund të ndodhte gjatë shoqërimit të tij, pasi kishte dyshime për ndonjë sulm, për shkak të krimit të bërë.
 
Siç shkruan media greke, Janca ka qarë në gjykatë gjatë rrëfimit të tij, duke treguar se ka qenë i papërgjegjshëm në momentin e ka kryer atë. Në rrëfimin e tij, 33-vjeçari Janca, ka treguar momentet e fundit të grekes 43-vjeçare.
 
DËSHMIA E SHQIPTARI, ARTI JANCA
“E godita dy herë me thikë në qafë. U plagos dhe ra në tokë. Në momentin që kam dashur të heq thikën, kam rënë në tokë dhe e kam goditur edhe dy herë të tjera në shpinë në mënyrë të papërgjegjshme.
 
Në atë moment ajo u kthye nga unë dhe më tha: Arti çfarë më bëre kështu mua? Në atë moment e kuptova se çfarë kisha bërë”, ka treguar para Gjykatës së Patras, 33-vjeçari shqiptar, Arti Janca.
 
Avokati i të pandehurit, Jason Aleksandropulosi, i caktuar kryesisht nga gjykata, nuk ka dashur që të japë ndonjë deklaratë në lidhje me vendimin e gjyqtarit, për ta lënë në qeli klientin e tij, për vrasjen e 43-vjeçares greke. Mësohet se para caktimit kryesisht, asnjë nga avokatët nuk ka dashur ta mbrojë shqiptarin. Mbi Arti Jancan, rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”.

arti janca ne gjykate logo
(Në foto: Shqiptari, Arti Janca në Gjykatën e Patras)

VARROSET GRUAJA E VRARË NGA SHQIPTARI
Përcjellja për në banesën e fundit e 43-vjeçares Natalia Voutsina është bërë mesditën e djeshme në orën 14:00. Dhjetëra persona, familjarë, të afërm dhe miq të grekes 43-vjeçare e kanë përcjellë atë për në banesën e fundit.

Ndërkaq, familja e Voutsinas, ka kërkuar që në vend të kurorave personat që kanë marrë pjesë në varrim të bëjnë donacione në një fondacion për mjekësinë dhe solidaritetin social.

natalia voutsina varrimi
(Në foto: Ceremonia e varrimit e Natalia Voutsina në Patra)

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)