ATHINË, 2 korrik /ATSH-AFP/ - Kryeministri grek, Aleksis Cipras u kërkoi sot grekëve bashkim kombëtar për kapërcimin e vështirësive të përkohshme që po kalon vendi dhe premtoi se pas referendumit të të dielës vendi do të jetë i bashkuar.
"Pas referendumit ne do të jemi të gjithë të bashkuar për të bërë përpjekje të kapërcejmë vështirësitë e përkohshme që vendi po kalon", theksoi Aleksis Cipras në përfundim të një takimi me Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes dhe drejtues i partisë sovrane të Grekëve të Pavarur (Anel).
Anel merr pjesë në koalicionin qeveritar me të majtën radikale Syriza të kryeministrit që prej zgjedhjeve legjislative në muajin janar.
Kjo thirrje për bashkim kombëtar ndodhi tre ditë nga referendumi i vendosur nga qeveria dhe që përqendrohet në masat e reja shtrënguese të propozuara nga kreditorët e vendit BE dhe FMN. Kjo perspektivë ka ndarë zgjedhësit grekë.
"Duhet të respektojmë procedurën demokratike dhe të ruajmë bashkimin Kombëtar", nënvizoi Aleksis Cipras.
Ndërkohë që kryeministri u kërkoi sot zgjedhësve të votonin "jo", tre deputetë nga 13 të Anel shprehën hapur qëndrimin e tyre kundër vendosjes së organizimit të referendumit dhe për "po", në sfondin e zërave për mosmarrëveshje brenda maxhorancës./
/ec/