Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Gjergj Meta i ka drejtuar një përshëndetje Atit të Shenjtë, Papa Leonit XIV, me rastin e vizitës “Ad Limina Apostolorum”, më 30 tetor 2026.
Në emër të ipeshkvijve, meshtarëve rregulltarëve dhe besimtarëve katolikë shqiptarë, ai përcolli mesazhin e besnikërisë dhe të bashkimit me Selinë e Shenjtë, duke kujtuar qëndrueshmërinë e Kishës në Shqipëri edhe përballë përndjekjeve, varfërisë dhe izolimit.
Në fjalën e tij, Meta falënderoi Papën për thirrjet e vazhdueshme për paqe, për enciklikën “Magnifica humanitas”, që vë në qendër dinjitetin njerëzor përballë sfidave të inteligjencës artificiale, si dhe për dëshminë e tij personale.
Përshëndetja e plotë:
Fort i Lumturi Atë,
Kam kënaqësinë t’Ju drejtoj këtë përshëndetje të shkurtër në emër të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, me rastin e vizitës ad limina Apostolorum. Videre Petrum dhe vizita pranë varreve të Apostujve janë për ne një rast për të kremtuar fenë tonë, për t’u rrokur fort rreth Jush, Atë i Shenjtë, dhe për t’u përforcuar në fe. Të përforcuar kështu, do të kthehemi në Dioqezat tona për të përforcuar në fe meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe besimtarët laikë.
Atë i Shenjtë, së pari, Ju përshëndes në emër të ipeshkvijve dhe administratorëve këtu të pranishëm. Së bashku përfaqësojmë pesë Dioqeza dhe një Administraturë Apostolike. Si barinj të Kishës që është në Shqipëri, në bashkim me mbarë Kishën dhe me Selinë e Romës, vazhdojmë, edhe mes vështirësive, shërbesën tonë si barinj të grigjës që na është besuar nga Krishti Zot nëpërmjet Pasardhësit të Pjetrit.
Në mënyrë të veçantë, Ju sjell përshëndetjen dhe përqafimin e meshtarëve tanë, të cilët çdo ditë punojnë me përkushtim në vreshtin e Zotit. Ata Ju shprehin, Atë i Shenjtë, besnikërinë dhe dashurinë e tyre dhe luten për Ju.
Ju sjell përshëndetjen e rregulltarëve dhe rregulltareve tona, të cilët, me besnikërinë e tyre ndaj Krishtit nëpërmjet këshillave ungjillore, janë një shenjë e madhe për besimtarët tanë dhe jo vetëm për ta. Edhe ata sot janë me ne dhe ne bëhemi zëri i tyre pranë Jush për t’Ju përshëndetur e përqafuar.
Ju sjell përshëndetjen dhe përzemërsinë e besimtarëve tanë, të të gjitha dioqezave dhe të të gjitha famullive, nga më të dukshmet deri tek ato më pak të dukshmet. Ata Ju shohin, Atë i Shenjtë, me shumë përzemërsi. Katolikët e Shqipërisë i kanë qëndruar gjithmonë besnikë Selisë Apostolike, pavarësisht vështirësive, përndjekjeve, varfërisë dhe izolimit. Të gjithë, të rinj e të moshuar, të rritur e fëmijë, burra e gra, Ju dërgojnë një përqafim të madh e të përzemërt, duke kërkuar mbrojtjen e Martirëve të Lumë shqiptarë për shërbesën Tuaj.
Së fundi, Ju sjell përshëndetjen e të gjithë shqiptarëve, edhe të atyre që nuk janë katolikë, dhe sidomos të udhëheqësve fetarë të vendit. Ata Jua duan të mirën dhe shohin në Personin Tuaj një mik dhe një udhërrëfyes që ka çfarë t’i thotë botës, edhe në emër të të gjithë atyre që nuk kanë zë.
Atë i Shenjtë, dëshirojmë t’Ju falënderojmë për dëshminë që na keni dhënë të gjithëve ne dhe mbarë botës që nga çasti i parë kur u shfaqët në lozhën e Shën Pjetrit, duke uruar një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse. Me vendosmëri ungjillore, në shumë raste, Ju keni shpallur paqen që vjen nga Krishti, duke dënuar luftën.
Ju falënderojmë për Enciklikën Magnifica humanitas, e cila na ka ofruar një vizion antropologjik në një kohë kur duket se njerëzorja po lihet mënjanë për shkak të makinave të inteligjencës artificiale dhe të një algoritmi që ngrihet si zëvendësues i përgjegjësisë njerëzore. Në këtë Enciklikë kaq të bukur, Ju keni nxjerrë sërish në pah vendin qendror të njeriut, të çdo burri e të çdo gruaje, si dhe dinjitetin e tyre.
Faleminderit, Atë i Shenjtë, edhe për dëshminë që keni dashur dhe keni ditur t’i jepni botës duke bërë të ditur gjendjen Tuaj shëndetësore. Jemi lutur për Ju dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë.
Fort i Lumturi Atë, në përfundim të këtij takimi, përtërijmë ftesën tonë për ta vizituar Shqipërinë. Nëna e Këshillit të Mirë Ju pret me përqafimin e saj dhe është asaj që ia besojmë shërbesën Tuaj dhe tonën si barinj.
Faleminderit! Na bekoni ne dhe Kishat tona! Ne Ju sigurojmë lutjet tona.
Gjergj Meta Ipeshkëv i Rrëshenit President i KISH









Komente
Komento