GREQI - Një emigrant shqiptar në Greqi, i moshës 54 vjeç ka humbur jetën si rezultat i goditjeve me levë hekuri nga një bashkatdhetari i tij. Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, në Vrontos, një fshat i krahinës së Pierisë, 16 km nga kryeqendra, Katerini.

Sipas dëshmitarëve okularë të cituar nga policia, autori 38-vjeçar i kishte bërë pritë viktimës, dhe në momentin kur 54-vjeçari është afruar është goditur me levë hekuri në kokë. Pas këtij veprimi bashkatdhetari i tij e ka lënë të përgjakur në mes të rrugës.

Kanë qenë banorët e zonës ata të cilët kanë njoftuar policinë dhe ambulancës, por ndërhyrja mjekësore nuk ishte më e nevojshme pasi 54-vjeçari kishte ndërruar jetë.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje ka mundur të largohet ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij.

Sipas policisë, motivi i vrasjes ka të bëjë me mosmarrëveshje ekonomike që kishin dy emigrantët shqiptarë ndërmjet tyre.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)