Greqi, gazetari sot në Gjykatë
publikoi 2059 evazorët fiskalë

Greqi, gazetari sot në Gjykatë<br />publikoi 2059 evazorët fiskalë
ATHINE- Gazetari investigativ Kostas Vaxevanis, i cili u arrestua ditën e djeshme pas publikimit në revistën “Hot Doc” të listës prej më shumë se 2000 emrave të njohur si “Lista e Lagarde” do të dalë sot para gjykatës.

Në listën misterioze përfshihen 2059 emra që kanë depozituar në llogari bankare në Zvicër në vlerën e dy miliardë dollarëve. Në liste janë emra të funksionarëve të lartë politikë, duke përfshirë një këshilltar i Kryeministrit aktual, Antonis Samaras, tre ish-ministra dhe shumë biznesmenë, por dhe aktorë e arkitektë. Depozitat nuk justifikoheshin prej të ardhurave individuale ndaj llogaritë e shumicës prej tyre u mbyllën sapo banka i informoi se të dhënat kishin rrjedhur nga sistemi.

Ndërkohë që sot Kostas Vaxevanis do të dalë para gjykatës nën akuzën se ka shkelur ligjet në lidhje me privatësinë e të ardhurave personale, informon gazeta greke Ekathimerini. Mendohet se lista iu dha Greqisë nga autoritetet franceze, që prej vitit 2010 që të hetohen për evazion fiskal por Greqia nuk ka bërë asnjë hetim. Ndërkohë që autoritetet greke nuk kanë konfirmuar ende nëse lista e publikuar në “Hot Doc” ishte në të vërtetë lista që i është dhënë ish ministrit të Financave Giorgos Papaconstantinou nga Christine Lagarde e cila në 2010 ishte ministre e Financave në Francë aktualisht sot numri një i FMN-së.

As Papaconstantinou, as paardhësi i tij Evangelos Venizelos, i cili në fillim të këtij muaji i përcolli listën autoriteteve nuk kanë saktësuar nëse në listë përfshihen emrat e politikanëve. Por sipas listës së publikuar nga “Hot Doc” llogari bankare në Zvicër kishin dhe një këshilltar i Kryeministrit aktual, Antonis Samaras, tre ish-ministra, mes tyre ish ministri i Kulturës Giorgos Voulgarakis. Ky i fundit mohoi përfshirjen e tij, duke e quajtur emrin në listë si një dizinformim dhe abuzim. Nëpërmjet faqes së tij sociale Twitter ai deklaroi se “As unë dhe as bashkëshortja ime nuk kanë llogari bankare jashtë Greqisë apo kompani.”

ARRESTIMI
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Vaxevanis shkroi në rrjetin social se afro 15 policë janë para banesës së tij. "Le të vijnë dhe të më arrestojnë si bashkëpunëtor me gjermanët. Tani janë duke ardhur me një prokuror. Po më arrestojnë. Në vend që të arrestojnë hajdutët dhe ministrat që thyejnë ligjin, duan të arrestojnë të vërtetën. Bëra atë që do të bënte çdo gazetar", shkroi ai. Një zyrtar i policisë tha dje për median se prokurorët lëshuan një urdhër arresti për Vaxevanis për shkak se ai ka publikuar një listë me emra pa një leje të posaçme duke shkelur ligjet për të ardhurat personale dhe shkeljen e privatësisë.

HISTORIA E LISTES LAGARDE
Historia e “Listës Lagarde” është një metaforë e fuqishme për problemet e Greqisë. Lista është pjesë e mijërave emra mbajtësish të llogarive zviceriane të HSBC të “vjedhura” nga bankieri Herve Falciani nga sistemet kompjuterike të HSBC dhe të blera nga Gjermani për të luftuar evazionin fiskal.
Dokumenti u është dërguar më pas të gjithëve kancelarëve europianë dhe Lagarde mori detyrën që t’ia çonte Greqisë, duke bërë një takim me ish-ministrin e Financave George Papaconstantinou.
Papaconstantinou (pasi pa që në listë ishin shumë emra të ministrisë së tij, thonë gojë e këqija) bllokoi publikimin në pritje për të marrë viston nga avokatët për të shmangur problemet me jetën private dhe e dërgoi një kopje të diskut skuadrës së anti-mashtrimit e udhëhequr nga Yannis Kapeleris. Ministri e kaloi në duart e Kapeleris dhe ai mendoj se me këtë çështje duhet të merrej ekzekutivi. Lista krejt papritur është zhdukur për 2 vjet, deri kur Evangelis Venizelos, ish-ministri i Financave pas Papaconstantinou dhe lideri i socialistëve të PASOK, i vënë nën presion nga trashëgimtari i tij Yannis Stournaras, ka pranuar ekzistencën e listës, duke pranuar se përmbajtja e saj kishte humbur.

“Hot Doc” publikoi listën, duke saktësuar me korrektësi se të kishe një llogari në një bankë zviceriane nuk do të thotë automatikisht që të jetë një evazion fiskal. Ndër emrat është ai i Stavros Stavropoulos, këshilltar i afërt i Samaras, 2 ish-minitra të Demokracisë së Re, njëri prej të cilëve kreu vetëvrasje ditët e fundit pas thashethemeve të para në lidhje me rolin e tij. Askush nuk ka konfirmuar apo mohuar saktësinë e artikullit. Ekipet e anti-mashtrimit për momentin nuk kanë lëvizur as gishtin. Qeveria nuk ka sugjeruar të paktën as një debat parlamentar mbi listën.
(sg.eç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij

Dita e Pavarësisë, përurohet vepra e Mid’hat Frashërit. Vëllimi i dhjetë sjell të gjitha përkthimet e bëra prej tij