Tre nga 11 trafikantët e drogës që ishin skaf në Greqi, mes tyre dy shqiptarë dhe një italian kanë dalë para gjykatës për masës sigurie, ndërsa janë lënë bë burg pa afat. Asnjëri nuk e ka pranuar se ka lidhje me drogën edhe pse janë kapur brenda në skaf. Italiani ka deklaruar para gjykatës se është punësuar si kapiten për të drejtuar skafin.

“Kisha një marrëveshje për drejtimin e skafit nga Greqia ne Itali” ka thënë italiani.  Ndërsa një nga shqiptarët ka thënë që ishte marrë në punë thjesht për ngarkim-shkarkim, dhe se nuk kishte dijeni për çfarë ngarkese ishte.

“Nuk kam lidhje me drogën, më morën për ngarkim, nuk e dija se çfarë kishte brenda”, tha shqiptari para gjykatës. Por, sipas autoriteteve greke organizator i trafikut të drogës dyshohet se është italiani, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për momentin. Sot pritet të dalin për masë sigurie edhe tre të arrestuarit e tjerë nga Shqipëria, dy grekët dhe bullgari.

Operacioni
Gomonia e kapur me 1.6 ton kanabis mbrëmjen e së shtunës, zbuloi një rrjet të gjerë trafikantësh, ku janë të përfshirë biznesmenë shqiptarë dhe grek. Mediat në Greqi kanë shkuar edhe pranë gomones së sekuestruar, ku dallohen qartë shenjat e plumbave të policisë greke.

Deri më tani janë arrestuar 11 persona, 6 shqiptarë, 2 grek, 2 italianë dhe 1 bullgar. Sipas mediave greke kreu i këtij grupi kriminal fshihet në një vilë luksoze në Shqipëri. Mediat e shtetit helen kanë theksuar se kjo bandë ka lidhje me vëllezërit Habilaj. Hetimet për këtë grup vijojnë, pasi dyshohet se drejtuesit e organizatës kriminale janë në Shqipëri dhe Greqi.

dy.b/shqiptarja.com