SARANDE-Policia shqiptare në bashkëpunim me atë greke kanë sekuestruar në një operacion të përbashkët 81 kg kanabis, tre persona janë arrestuar nga autoritetet fqinje, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tyre. Të arrestuarit janë A. N. 24 vjeç, nga Rësheni, banues në Konispol, K.LL. 23 vjeç nga Cakrani dhe M.L. 26 vjeç nga Peshkopia.

“Më datë 29.01.2018, rreth orës 19.00, nëpërmjet oficerit të kontaktit të Komisariatit Policisë Kufitare Sarandë  është vënë në dijeni pala Greke e Igumenicës ( Sektori i Antidrogës), se në drejtim të fshatit Vërvë të Sarandës, drejtimi i piramidave nr.63-64, disa persona që dyshohej se transportonin lëndë narkotike,  janë nisur në drejtim të shtetit Grek.

Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe ndjekjes nga të dyja anët e kufirit, rreth orës 04.30, të dt.30.01.2018,  në sajë dhe të përdorimit të kamerave të vendosura për këtë situatë, në vendin e quajtur Parapotamo, zona e Filatit,  nga Policia Greke janë kapur 3(tre) shtetas Shqiptarë së bashku me lëndën narkotike ku nga peshimi rezulton se është 81 kilogramë, ndërsa dy shtetas të tjerë duke përfituar nga errësira mundën të largohen
” njofton policia në Sarandë. 

d.b/shqiptarja.com