KORFUZ- Një ton drogë e tipit marijuanë e ngarkuar në një gomone e cila ishte nisur nga Shqipëria drejt Greqisë u kap dhe u sekuestrua mbrëmë nga policia greke.

Mjeti lundrues me lëndën narkotike u konstatua nga policia shqiptare dhe konkretisht nga Qendra Operacionale Ndërinstitucionale Detare dje rreth orës 22.00 teksa tentonte të afrohej në brigjet shqiptare duke u futur në Gjirin e Bunecit.

Sipas një njoftimi zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë menjëherë u informuan strukturat vendrore të Policisë Kufitare, të cilat organizuan punën për kapjen e mjetit lundrues me një gjatësi rreth 12 metra, me 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili. Për ndalimin e gomones u vunë në dijeni dhe autoritetet policore italjane dhe greke. Në ndjekje të gomones u vunë mjetet e Guardia di Finanza, si dhe avionë të Frontex.

Si rezultat i ndjekjes nga mjetet lundruese të Policisë Kufitare, mjeti lundrues ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes së tij. Mjeti i është afruar brigjeve greke dhe konkretisht përmes Kanalit të Korfuzit po i drejtohej ishullit të Qefalonisë. Forcat greke të policisë të njoftuara nga ato shqiptare mundën të sekuestronin lëndën narkotike në sasi rreth 1 ton marijuanë si dhe pronarin grek të skafit.
(ns/shqiptarja.com)