Parlamenti grek votoi sot në mbrëmje një amendament që synon të nxisë individët dhe kompanitë të rimbursojnë borxhet e tyre ndaj fiskut apo sigurimeve sociale, që arrijnë shumë të jashtëzakonshme dhe vazhdojnë të rriten për shkak të krizës.
Ky tekst u miratua me 185 vota pro, 24 kundër dhe 85 abstenim.
Partitë e koalicionit qeveritar (Demokracia e Re dhe Pasok), si dhe e Majta Demokratike dhe Grekët e Pavarur votuan pro këtij amendamenti.
Deputetët e Siriza-s (e majta radikale), partia kryesore opozitare, abstenoi.
Partia komuniste dhe partia neo-naziste (Agimi i Artë) votuan kundër.
"Amendamenti prek qytetarët që janë të paaftë t'i përgjigjen detyrimeve të tyre për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe problemeve të likuiditetit", njoftoi ministri grek i Financave, Guikas Hardouvelis, para Asamblesë.
Rritja e taksave që prej shpërthimit të krizës në vitin 2010 në kuadrin e masave shtrënguese dhe recesionit të thellë që ka prekur vendin kanë penguar mijëra taksapagues të shlyejnë detyrimet e tyre ose interesat ndaj shtetit.
Në total, detyrimet ndaj fiskut arrijnë në 70 miliardë euro ndërkohë që ato që kanë të bëjnë me siguracionet në 20 miliardë euro./ATSH/