Ministria e Brendshme Greke ka vendosur sot të shtyjë me një afat 5-mujor të gjitha lejet e qëndrimit që skadojnë nga 1 janari deri më 30 prill 2014. “Afati i lejeve të qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta që janë nxjerrë nga shërbimet e shtetasve të huaj dhe emigracionit të administratës së decentralizuar të vendit dhe skadojnë nga 1 janari deri më 30 prill 2014, shtyhen automatikisht për një periudhë pesë 5-mujore që nga data e skadimit, pa nevojën e nxjerrjes së akteve normative”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme Greke, të cilës i referohet ATSH.

I njëjti burime zyrtar tha se kërkesa për rinovimin e lejeve të qëndrimit pranohen gjatë gjithë kohës së shtesës, përderisa dëshmohet se ka arsye të jashtëzakonshme. Autoritetet greke janë te detyruara të avancojnë në këtë shtyrje afati për shkak të personelit të mangët që ka në zyrat e shërbimit të emigrantëve, që tashmë janë shndërruar në one stop shop. Shumica dërrmuese e emigrantëve të huaj në Greqi janë shqiptarë, të cilët pavarësisht krizës së thellë ekonomike, preferojnë në masë të madhe të qëndrojnë ende në vendin fqinj.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)