Greqi - Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e mbrëmjes së kësaj të marte në ishullin Kios, Greqi, ku një gomone me emigrantë të paligjshëm është përplasur me një motoskaf të Rojës Bregdetare Helene.
Sipas medias greke, Protothema, të paktën 14 emigrantë kanë vdekur, disa kanë mbetur të lënduar, e disa të tjerë të zhdukur, si pasojë e kësaj përplasje.
Raportohet se Roja Bregdetare vuri re gomonen me emigrantët e paligjshëm, duke u bërë me sinjal që të ndalonin e të ktheheshin. Ky moment ka bërë që personat që po trafikonin emigrantët, të kryenin manovra të rrezikshme duke përfunduar kështu në përmbysjen e tyre.
Ende nuk dihet numri i saktë i emigrantëve që ndodheshin në gomone. Të paktën 24 emigrantë janë shpëtuar, mes tyre dhe një grua shtatzënë. Pjesa tjetër deri më tani rezultojnë të zhdukur.
Po kështu, ekziston dyshimi që të ketë pasur të shtëna nga gomonja e emigrantëve drejt mjetit të Rojës Bregdetare, por diçka e tillë nuk është e konfirmuar. Po vijojnë kërkimet për gjetjen e personave të zhdukur.
Komente










