Greqi, regjisori shqiptar në
ndjekje penale për blasfemi

Greqi, regjisori shqiptar në <br />ndjekje penale për blasfemi
ATHINE - Me akuzat për fyerje të fesë dhe blasfemi keqdashëse e të qëllimshme në vazhdimësi, vihen përpara drejtësisë greke producentët dhe aktorët e shfaqjes “Corpus Christi”. Regjisor i shfaqjes ishte shqiptari Laert Vasili.

Ndaj tyre u vendos ndjekje penale nga Gjykata e Shkallës së Parë të Athinës, pas denoncimit të Mirtopolitit të Pireut, Serafim.

Kjo shfaqje nuk jepej më në teatrin ku kishte kontratën, sidomos pas trazirave, fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj aktorëve e producentëve, prej neonazistëve të “Agimit të Artë” dhe fetarëve fanatikë grekë.
Laert Vasili
(në foto:Laert Vasili, regjisori i filmit)

“Nuk ishte në qëllimin tonë as të sfidojmë dhe as të fyejmë ndjenjat fetare, as edhe të krijojmë trazira, aq më tepër të jetojmë pamje të një teatri, i cili ruhet nga policia”, kanë deklaruar sot producentët e shfaqjes “Corpus Christi”, duke shpjeguar shkaqet e ndërprerjes së kësaj shfaqjeje teatrore.

Regjisori i shfaqjes Laert Vasili bashkë me aktorët e tjerë kanë nënvizuar “Besimin e tyre të thellë tek Ortodoksia dhe kristianizmi, i cili është besimi i dashurisë dhe i tolerancës”.

Në të njëjtën kohë ata janë shprehuar të shqetësuar për trazirat që ndodhën përpara godinës së teatrit “Xytirio”, gjë që përbën turp, tmerr dhe kthim mbrapa në epoka të tjera.

“Të tilla shfaqje dhune, si ato që ndodhën në portën e teatrit në 11 tetor, nuk kanë ndodhur në asnjë vend të botës, ku është luajtur “Corpus Christi”, veçse nga myslimanë fanatikë, të cilët konsideruan se duhet lëshuar një vendim për dënimin me vdekje të autorit të dramës”, kanë deklaruar producentët e shfaqjes.

Ndërkohë një numër i madh aktorësh, intelektualësh dhe politikanësh të majtë kanë reaguar kundër vendimit të gjykatës për ndjekjen penale të aktorëve dhe kanë kërkuar tërheqjen e vendimit.

(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi