ATHINË- Kryeministri grek, Antonis Samaras ka sulmuar ashpër partinë e majtë radikale greke, SYRIZA, duke e akuzuar se dëshironte të krijonte kushte destabilizimi politik duke penguar zgjedhjen e presidentit të republikës.
Duke folur në konferencën e Dhomës Greko-Amerikane të Tregtisë me temë "Ekonomia greke në një pikë kthese", kryeministri dergoi një mesazh brenda dhe jashtë vendit duke iu referuar negociatave që po zhvillohen dhe duke paralajmëruar se tërheqjet e qeverisë kanë një kufi.
"Tani që po negociojmë janë shtruar kushtet për rritje taksash dhe ulje të të ardhurave", deklaroi Samaras.
"I hodhëm poshtë. Partnerët parashikojnë vakum financiar, që nuk vërtetohet. Në 2013 dhe 2014 na kërkonin masa të reja kufizuese që ne nuk pranuam të merrnim. Po të kishim marrë masat që na kërkojnë nuk do të gjendeshim sot në stadin e zhvillimit. Na kërkojnë masa kufizuese që do të pengojnë zhvillimin. Tani presioni është më i madh pse është vlerësimi i fundit. E bëmë të qartë se këto nuk duhet dhe nuk mund të bëhen, mirëpo nëse kemi problem në mesin e vitit do të marrim masa korrigjuese", shtoi ai.
"Kërkesa të tjera i pranuam sepse ekonomia i duron apo të tjera pse janë të arsyeshme, mirëpo ulja e kësteve dhe ulja e pensioneve do të ishte një mesazh katastrofe. Sa në përshtatjen fiskale, aq edhe në reformat Greqia bëri shumë. Nuk pranoj të më thonë se nuk janë bërë shumë, askujt nuk i lejohet të minojë përpjekjet as brenda as jashtë vendit, mirëpo ajo që do të ketë rol vendimtar në mbarëvajtjen e përpjekjes kombëtare është stabiliteti politik", tha shefi i qeverise greke.
"Këtë stabilitet askush nuk ka të drejtë brenda vendit ta minojë dhe as jashtë vendit që ta vejë në diskutim. Presione absurde dhe të pajustifikueshme nuk do të pranoj. Nuk ka askush të drejtë të na sillet siç na silleshin para dy apo katër vjetësh. Greqia ka ndryshuar faqe, financat janë përmirësuar, reformat kanë avancuar, zhvillimi është arritur", theksoi kryeministri grek, Antonis Samaras./ATSH/









